Basha: Të korruptuarit duhet të japin llogari para drejtësisë, e paratë t’u kthehen qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, thotë se të korruptuarit duhet të japin llogari para drejtësisë e paratë t’i kthejnë mbrapsht.

Sipas Bashës, është jetike që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë.

Basha: Sot isha në Dibër ku pash nga afër shqetësimet e tregtarëve për rritjen e çmimeve dhe rënien e fuqisë blerëse të qytetarë që, me buxhetin e vogël në dispozicion, nuk arrijnë të plotësojnë të gjitha nevojat e tyre. Ky është realiteti prej vitesh – thonë tregtarët. Kjo ka ndikuar në largimin masiv të rinisë duke pamundësuar edhe shfrytëzimin e sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë në këtë zonë.

Ata përballen me vështirësi të shumta, që nga mungesa e mbështetjes për shtresat e varfëra, për sektorin e bujqësisë e blegtorisë, mungesa e tregut dhe vendeve të punës, çka ka sjellë dhe rënie të fuqisë blerëse. Qytetarë të varfër, korrupsion i lartë. Ky është realitetit sot në Shqipëri që po detyron shqiptarët të largohen nga vendi. Prandaj sot është jetike t’i jepet fund pandëshkueshmërisë. Të korruptuarit duhet të japin llogari para drejtësisë e paratë që u kanë marrë shqiptarëve t’u kthehen mbrapsht. Paratë që sot shkojnë në xhepat e pushtetarëve të kthehen në të mira për qytetarët.