Fundjava e legjionarëve/ Çuni protagonist në Itali, Mitaj vijon shkëlqimin dhe në Moskë, Skuka shënon në Slloveni
Lojtarët e Kombëtares së Shqipërisë vijojnë të bëjnë paraqitje pozitive në klubet e tyre. Në Itali, gjatë kësaj fundjave, u bë protagonist Marvin Çuni, i cili, ndonëse u aktivizua në minutën e 56-të, arriti që të fitonte një 11-metërsh për Frosinonen.
Sulmuesi, i cili u ftua për herë të parë nga Sylvinho në ndeshjen me Bullgarinë, i dha mundësinë skuadrës së tij për të ngushtuar rezultatin, diçka që u realizua nga Soulé, i cili nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.
Cuni pati dhe disa situata të tjera gjatë ndeshjes, duke krijuar volum, por nuk arriti dot që të shënonte. Për 90 minuta u aktivizua edhe kapiteni i kuqezinjëve Berat Gjimshiti me Atalantën, në suksesin 2-0 ndaj Genona.
Për gjatë gjithë ndeshjes luajti dhe Ivan Balliu te Rayo Vallecano në Spanjë, me mbrojtësin e djathtë që mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës madrilene.
Po në La Liga, Myrto Uzuni u aktivizua në të 63-ën me Granadën, por pa mundur që të shënonte, ndonëse pati disa mundësi. Vlerësim pozitiv pati dhe për Keidi Baren dhe Espanyolin e tij.
Në kampionatin rus, Mario Mitaj u rikthye titullar dhe ndonëse luajti si një mesfushor qendre, u shpall lojtari më i mirë i ndeshje, duke konfirmuar formën e jashtëzakonshme që po kalon.
Po nga 90 minuta luajtën dhe Sokol Cikalleshi në Turqi me Konyasporin dhe Arbnor Muja në Blegjikë me Antwerpin.
Ka gjetur golin e parë në kampionatin slloven Xhuljano Skuka, i cili shënoi ndaj Bravon, ndonëse Maribori u mund në shifrat 2-1.
Në Turqi, Devi Bregu shënoi golin e parë në suksesin 3-2 të Umraniyesporit ndaj Manisat. Aktivizim pati dhe për Qazim Laçi në Çeki te Sparta Pragë, Klaus Gjasulën në Gjermani te Darmsadti dhe Ernest Muçin në Poloni te Legia.
