Rama: Franca e pranishme me 111 kompani me kapital të përbashkët, synojmë dyfishimin

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria dhe Franca do të shtojnë përpjekjet për dyfishimin e kompanive franceze në vendin tonë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili nisi dje një vizitë zyrtare dyditore në vendin tonë, Rama tha se aktualisht janë 111 kompani me kapital të përbashkët që operojnë në vend.

“Sot Franca është e pranishme në Shqipëri me 111 kompani me kapital të përbashkët. Janë shumë pak dhe nga pikëpamja ekonomike janë sa një këmbë e Mbappé. Por janë shumë krahasuar me disa vite më parë, kur marrëdhënia jonë ekonomike vlente sa një këpucë e Mbappé. Tani do të luftojmë së bashku për këmbën e dytë të Mbappé”, u shpreh Rama.

Kryeministri po ashtu informoi se grupi “Barriere” i njohur për restorantet “Fouquet’s” ka nisur të zhvillojë një plan investimi për hoteleri të gamës së lartë në vendin tonë.

“Sot ne e kemi Francën këtu, përmes disa flamujve të krenarisë së saj sipërmarrëse nga Voltalia deri në një flamur krenarie të Francës, i cili është shumë i njohur për të gjithë ata që vizitojnë Parisin dhe mbajtësi i të cilit është këtu në sallë, grupi “Barriere”, por restorant dhe hotel “Fouquet’s” . Për të shkuar në një “Fouquet’s” duhet gjithmonë të nisesh të shkosh në Paris. Ndërkohë, ne sot kemi flamurmbajtësin e “Fouquet’s” në Shqipëri. Jo thjeshtë për të shoqëruar Presidentin, por shoqëron Presidentin, sepse më parë ka vizituar Shqipërinë me ekipin e tij dhe kanë filluar të zhvillojnë një plan investimi për hoteleri të gamës së lartë”, deklaroi Rama.