Censi po ecën normalisht, Dhuli: Presim të dhëna cilësore për përdoruesit e statistikave zyrtare

4 javë pas nisjes së procesit të numrit të popullsisë dhe banesave në të gjithë vendin, procesi po vijon normalisht duke arritur 70 % të realizimit të tij.

Drejtoresha e Institutit të Statistikave (INSTAT), Elsa Dhuli në një prononcim për ATSH-në bën të ditur se procesi po ecën normalisht, ndërsa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që t’u përgjigjen anketuesve të INSTAT-it.

“Procesi në tërësinë e tij po ecën njëlloj në të gjitha qarqet, në të gjithë vendin nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Përmes sistemit të monitorimit po ndjekim jo vetëm qarqet por edhe të gjitha bashkitë dhe po ecin në të njëjtin nivel. Deri tani procesi është realizuar në masën 70 %”, shprehet Dhuli.

Dhuli deklaroi se deri tani nuk ka pasur shkelje që dëmtojnë procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave. Sipas saj, të gjithë anketuesit janë trajnuar që duhet të bëjnë të gjitha pyetjet që përmban pyetësori në formatin elektronik.

“Pyetësori i Censit kërkon informacion që bazohet në vetëdeklarimin e qytetarëve. Anketuesit nuk duhet të kërkojnë dokumente si kontratë shtëpie, certifikatë, kontratë qira marrje dhe dhënie, si edhe nuk pyeten të dhëna financiaret”, thekson Dhuli.

Për drejtoren e INSTAT-it, të dhënat e dala nga Censi do të ndihmojnë si qeverinë qendrore dhe atë lokale për mirëmenaxhim të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe komunitetit.

“Pres të dhëna dhe rezultate që do të jenë cilësore për të gjithë përdoruesit e statistikave zyrtare dhe për hartuesit e politikave. Do të shërbejnë për hartimin e politikave të rëndësishme që do të ndihmojnë si qeverinë qendrore dhe atë lokale për mirëmenaxhim të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe komunitetit. Duhet të kemi të dhëna për të ditur ku do të ndërtohet shkolla, spitali, rruga. Pra informacione që do t’i shërbejnë komunitetit për të prodhuar e pasur informacion mbi statistikat sociale ekonomike, demografike, ndryshimet demografike që kanë ndodhur, cilat janë kushtet e banesës së popullsisë rezidente në territorin e Republikës së Shqipërisë, pra një informacion i një rëndësie vërtet shumë të lartë“, u shpreh Dhuli.

Por, ajo vuri në dukje se kjo nuk do të mjaftojë.

“Të dhënat që do të mblidhen përmes Censi do të shërbejnë edhe për ndërtimin e një kornize mbi bazën e të cilave do të organizohen vrojtime pranë familjeve nëpërmjet të cilave do të trajtohen statistika të tjera të veçanta, pasi Censi nuk është objekt për të mbledhur çdo informacion të mundshëm.

Censi duke ndjekur rekomandimet e OKB-së dhe rregulloret e BE-së ka një set pyetjesh të cilat janë të detyrueshme për tu pyetur dhe përgjigjur nga qytetarët, të cilat shërbejnë për prodhimin e një seti statistikash zyrtare të përcaktuara”, thotë Dhuli.

Statistika të tjera të domosdoshme për përdoruesit e të dhënave, shpjegoi Dhuli, prodhohen nga organizimi i vrojtimeve, baza e të cilit janë të dhënat e grumbulluara nga Censi.

Censi i Popullsisë dhe Banesave ka filluar në datën 18 shtator 2023 dhe do të zgjasë 6 javë.

Sipas ligjit, çdo person, i cili në periudhën që do të kryhet Censi është banor i zakonshëm brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, është i detyruar të sigurojë informacionin e kërkuar në pyetësorët e Censit, në një mënyrë të plotë, të saktë dhe të besueshme.

Për herë të parë do të kemi të dhëna të sakta edhe për numrin e të huajve që jetojnë në vendin tonë.

Përjashtimet e vetme janë pyetjet në lidhje me identitetin etnik, fenë dhe gjuhën, për të cilat mund të zgjidhni opsionin “preferoni të mos përgjigjeni”.

Ky është censi i 12-të në historinë e Shqipërisë, i cili vjen 100 vjet pas censit të parë, zhvilluar në vitin 1923 dhe falë zhvillimeve teknologjike do të jetë e mundur që të zbatojë plotësisht standardet europiane të zhvillimit të censeve.

Qershori 2024 do të jetë muaji kur finalizohen dhe bëhen publike të dhënat e përfituara nga regjistrimi i vitit 2023. / ATSH