Sejko takime me BB dhe FMN: Rritja e normës së interesit, përgjigjia më e mirë ndaj inflacionit
Rritja e normës së interesit ka qenë përgjigjia e duhur për të frenuar rritjen e inflacionit në vend. Ky ishte qëndrimi i guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko në mbledhjen e përbashkët vjetore mes Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankes Botërore.
Gjatë fjalës së tij në këtë takim, guvernatori Sejko vuri në dukje edhe forcimin e monedhës kombëtare kundrejt asaj të huaj, veçanërisht ndaj euros. E që sipas tij ndikoi në mënyrë direkte edhe në zbutjen e rritjes së çmimeve në vend.
Ndër të tjera Sejko nënvizoi se niveli i inflacionit në Shqipëri do të kthehet brenda objektivit prej 3 për qind në muajin mars.
Hapat e ndërmarra për frenimin e rritjes së inflacionit dhe kthimin e tij brenda objektivit, u vlerësuan nga përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
I pranishëm ne këtë takim ishte dhe ministri i Ekonomisë dhe Financave Ervin Mete i cili ka rikonfirmuar vazhdimin e reformave në kuadër të konsolidimit fiskal dhe angazhimin për përmirsimin në mbledhjen e të ardhurave.
