Macron: Ardhja në Tiranë, konfirmim i një riangazhimi të Francës në rajon, Ballkani po kalon kohë të vështirë

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka deklaruar se kjo vizitë e tij është një konfirmim për një rol të ri të Francës në rajon. Në konferencën për mediat në krah të kryeministrit Edi Rama, Macron tha është një gabim që përgjatë këtyre viteve Shqipëria nuk është vizituar nga asnjë president francez.

Për këtë, ai shtoi se është në Tiranë për të rregulluar gabimin, ndaj shtoi se ishte i lumtur që ndodhet në Shqipëri për këtë vizitë zyrtare.

“Jam i lumtur që jam krah jush sot në një moment kaq të vështirë për Evropën tonë që i është nënshtruar rrëshqitjes së botës, rikthimit të luftës në territorin e saj me atë që po përjeton Ukraina për më tepër se 1 vit e gjysmë, me rikthimin e luftës në Kaukaz dhe fatkeqësisht rikthimin e terrorizimit në vendin tonë. Dhe këtu dua të përmend miqtë tanë belgë dhe suedezë, sepse ju thashë dje Brukseli u sulmua mbrëmë dhe 2 shtetas suedezë u prekën nga ky sulm terrorist. Pra, po mendoj tani për ta miqtë tanë belgë dhe suedezë në këtë moment

Po thoja që të jem në krahun tuaj sot do të thotë që shënoj një formë riangazhimi të Francës në vendin tuaj dhe në rajon, sepse ishte një gabim i thellë që prej vitit 1912 dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike nuk kishte ardhur President i Republikës franceze, jo vetëm që t’ju vizitonte, por që të bënit një copë rrugë bashkë. Pra ishte momenti për ta bërë”, tha Macron.  

Pra, theksoi ai, “kjo vizitë zyrtare ishte një formë riparimi, një formë rregullimi i gabimit nëse mund ta shpreh. Gjithsesi është një formë riangazhimi dhe rishpikje e marrëdhënies tonë”, nënvizoi ai.

Por, theksoi Macron, “nuk dua të shoh nga e kaluara, por nga e ardhmja. Delegacioni që më shoqëron tregon për vullnetin tonë”.

Macron u shpreh se Franca synon një bashkim mes të ngjashmish, ndërsa shtoi se nëse Europa do e mendojë veten si fuqi ka nevojë të ribashkohet.

Sipas tij Shqipërisë nuk po i bëhet një dhuratë, por kjo gjë do jetë e vlefshme si për Bashkimin Europian, si për vendin. Ai shtoi se Perëndimi i është “rrëmbyer” Shqipërisë, fillimisht nga Perandoria Osmane e më pas nga komunizmi.

Macron tha se nuk mundet që në mes të Europës të ketë vende që mund të ndikohen nga forca që kërkojnë shkatërrimin e Europës, duke iu referuar influencave të mundshme nga Moska.

“Ne synojmë një bashkim mes të ngjashmish dhe të flasim për çështjet e përbashkëta. Kush mund të flasë për Europën për fuqi, kur ne vendosim vende ne mes të Europës që ndikohen nga vende që duan shkatërrimin e Europës. Nëse Europa do e mendojë veten si fuqi ka nevojë të ribashkohet.

Kjo nuk është dhuratë që po i bëhet Shqipërisë, por është mirë për ju dhe mirë për ne. Është një zgjedhje gjeopolitike dhe e përbashkët. Ju keni vullnetin për të ccuar përpara reformat. KËtu vë re një dashuri për dinjitetin njerëzor dhe parimet e themelimit të Europës tonë. Ju do ta kryeni këtë, detyra jonë është t’iu shoqërojmë dhe me ndihma.

Shpresoj që muajt e ardhshëm ne si europianë të rigjejmë rrugën e bashkimit për ta bërë këtë një lëvizje të pakthyeshme. Kjo është jeta e popujve. Jetojmë në kohë pasionesh. Unë dua që Europa jonë të jetë mjeti që vendi juaj të ecë përpara në rrugën e përparimit dhe zhvillimit.

Këtë do ta bëjmë bashkë. Ju e keni kuptuar më së miri se unë jam i bindur që epoka që po hapet do sjellë ribashkimin e Europës tonë dhe zgjidhjen e tensioneve në rajon. Tensione që i dimë si ato mes Beogradit dhe Prishtinës, por këtu ka një rrugë, është udhërrëfyesi franko-gjerman që duhet të vazhdojë.

Unë ndjej forcën e ëndrrës evropiane tek ju. Dua të citoj një autor që nuk është Kadare, ju bëni pjesë në këtë Perëndim që iu është rrëmbyer fillimisht nga Perandoria Osmane e më pas nga diktatura komuniste”, u shpreh ai ndër të tjera.