Trajçe: Sipërfaqja e zonave të mbrojtura në Shqipëri aktualisht është në masën 21% të territorit
Drejtori ekzekutiv i PPNEAS-së, Aleksandër Trajçe ishte i ftuar në emisonin "Drejt" në Ora News ku u diskutua për zonat e mbrojtura në Shqipëri.
Trajçe u shpreh se sipërfaqja që zihet aktualisht në Shqipëri nga zonat e mbrojtura është në masën 21% të territorit.
"Sipërfaqja që zihet aktualisht në Shqipëri nga zonat e mbrojtura është në masën 21% të territorit. Është një sipërfaqe që është rritur konsiderueshëm vitin e kaluar me dy vendime të qeverisë dhe që u trumbetua si një arritje e madhe e qeverisjes aktuale.
Por në të vërtetë ajo cka ndodhi është se kjo sipërfaqe u rrit kryesisht në zonat e habitateve të larta malore të vendit, ku dhe influenca apo interesi ekonomik njerëzor është më i vogël.
Ndërkohë që sipërfaqet detare, sipërfaqet bregdetare dhe sipërfaqet ligatinore jo vetëm që nuk u rritën por kanë pësuar një reduktim të ndjeshëm, sidomos territoret pranë lagunave, pranë bregdetit, ku kuptohet që interesi për investime është më i madh në këto zona dhe ka një presion të jashtëzakonshëm mbi to", tha ndër të tjera Trajçe.


