BSH: Kredia në valutë u tkurr me 2.5% gjashtëmujorin e parë të vitit

Banka e Shqipërisë bëri të ditur se në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti, kredia në lekë u zgjerua me 5.9%, ndërsa ajo në valutë e shprehur në lekë u tkurr me 2.5%.

Sipas analizës së fundit të Bankës së Shqipërisë, në kuadër të strategjisë së deeuroizimit, (ulja e përdorimit të euros në ekonomi) në mesin e këtij viti kredia në valutë të huaj përbënte 50.3% të portofolit total të kredisë së sektorit bankar në Shqipëri.

Megjithëse pesha e kredisë në valutë është në rënie (edhe për shkak të efektit statistikor të kursit të këmbimit), ajo mbeti përsëri në shumicë.

Në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti, euro këmbehej me 106.44 lekë, në rënie me 10.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënia e euros ka tërhequr në rënie edhe kursin e valutave të tjera kryesore ndaj lekut.

Sipas ekspertëve të Bankës Qendrore, mbiçmimi i lekut gjatë periudhës, ka ndikuar në ngadalësimin e vlerës së raportuar të kredisë për bizneset dhe ka ndryshuar disi përbërjen sektoriale të saj.

Kështu, stoku i përgjithshëm i tepricës së kredisë për bizneset, i shprehur në lek, mbeti pothuajse i pandryshuar në krahasim me një vit më parë.

Efekti i kursit të këmbimit ishte i ndjeshëm edhe në madhësinë totale të aktiveve të sektorit bankar. Bilanci i sektorit bankar u tkurr lehtë me 1% (rreth 13 miliardë lekë) krahasuar me fundin e vitit 2022, nën efektin statistikor të mbiçmimit të kursit të këmbimit të lekut. /ATA