Dy viktima në 12 orë, aksidente fatale në Koplik e Belsh. 5 të plagosur në Fier

Dy viktima dhe të paktën 5 të plagosur është bilanci i aksidenteve të shënuara orët e fundit në rrugët e vendit.

Dy viktima  dhe disa të plagosur u shënuan në rrugët e vendit në harkun e 12 orëve.

Në Malësi të Madhe, një 77 vjeçar u përplas për vdekje nga një makinë  që drejtohej nga një 24-vjeçar  banues në Gostivar të Maqedonisë së Veriut!

Ngjarja u shënua rreth orës 05 40 minuta në aksin Shkodër – Koplik.

I moshuari sipas policisë po ecte në këmbë mori plagë të rënda të cilave nuk arriti tu mbijetojë. Drejtuesi i mjetit ndërkohë u ndalua nga Policia.

Më herët gjatë natës, një 37- vjeçare humbi jetën në një aksident në aksin Kuçovë-Belsh. Ai po udhëtonte si pasagjer në këtë makinë që drejtohej nga një 22-vjeçar.

Në këtë pikë të rrugës, shoferi humbi kontrollin dhe u përplas me barrierat e anësore.

Siç tregojnë pamjet, përplasja ka qenë e fortë pasi mbrojtëset metalike kanë tejshkuar mes përmes makinën.

Shoferi dhe një 14-vjeçar që udhëtonte po ashtu si pasagjer morën lëndime pa rrezik për jetën.

Ndërkohë 5 anëtarë të një familje mbetën të plagosur pasi makina me të cilën udhëtonin përfundoi jashtë rrugës në aksin Levan-Tepelenë.

Të plagosurit u dërguan për ndihmë mjekësore ndërsa raportohet se të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Fierit nisi punën për sqarimin e shkaqeve të aksidentit që u shënua pranë fshatit Buzëmadh.