Nga Tirana në Vlorë/ Francezja e akuzoi se e ngacmoi seksualisht, shpallet në kërkim taksisti 28-vjeçar

Në lidhje me një lajm të publikuar në portalin "JOQ Albania", për një  turiste franceze e cila ka akuzuar një drejtues taksie se gjatë udhëtimit nga Tirana në Vlorë, drejtuesi i taksisë e ka ngacmuar seksualisht, sqarojmë opinionin publik se:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pasi është njohur me rastin e publikuar në portalin "JOQ Albania", menjëherë urdhëroi strukturat Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë, për të kryer verifikimet  dhe veprimet ligjore për këtë rast.

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit që të kryente verifikimet në lidhje me zbatimin e procedurave standarde të punës, për marrjen, administrimin dhe ndjekjen ligjore të kallëzimit për këtë rast, nëse kjo shtetase kishte bërë një të tillë në strukturat e Policisë.

Nga verifikimet e kryera nga strukturat e Policisë ka rezultuar se kjo shtetase nuk ka bërë kallëzim në asnjë strukturë policore në të gjithë vendin.

Po nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasja franceze, më datë 04.09.2023, ka udhëtuar me një automjet taksi të një kompanie që ofron shërbim taksi, dhe në mes të rrugës i ka kërkuar kompanisë, një automjet tjetër, po të kësaj kompanie, me pretendimin se drejtuesi i automjetit po e ngacmonte seksualisht. Kompania i ka vënë në dispozicion një tjetër automjet të kompanisë dhe turistja franceze është larguar.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë drejtuesi i taksisë  shtetasi E.C, 28 vjeç, u shpall në kërkim.

Pas kërkimeve për lokalizimin dhe kapjen e tij është bërë e mundur kapja dhe shoqërimi  i 28 vjeçarit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për veprime të mëtejshme procedurale të cilat po kryhen nën drejtimin e Prokurorit.