Putin: Sugjerimet për luftë të SHBA-së kundër Rusisë dhe Kinës s’kanë kuptim

Presidenti rus Vladimir Putin, ka thënë të dielën se sugjerimet që Shtetet e Bashkuara duhet të përgatiten për një luftë kundër Rusisë dhe Kinës, nuk kanë kuptim, dhe e ka paralajmëruar Perëndimin se çdo luftë kundër Rusisë do të jetë në tjetër nivel, në krahasim me konfliktin në Ukrainë.

Një panel dypartiak, i emëruar nga Kongresi amerikan, ka thënë të enjten se Uashingtoni duhet të përgatitet për simulim të luftërave me Moskën dhe Pekinin, duke i zgjeruar forcat, duke i forcuar aleancat dhe duke e avancuar programin e modernizuar të armëve bërthamore.

Putin, i cili do ta vizitojë Kinën në javën që vjen, ka thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë rritur tensionet me Pekinin përmes nënshkrimit të paktit për siguri AUKUS – bashkë me Australinë dhe Britaninë – dhe se Rusia me Kinën nuk janë duke krijuar aleanca ushtarake.