Thellohet bilanci, numri i të vdekurve në Gaza shkon në 2329

Ministria e Shëndetësisë e Gazës ka raportuar se numri i të vdekurve në Rripin e Gazës është rritur në 2.329 palestinezë, ndërsa 9714 të tjerë janë plagosur.

Numri i fundit i viktimave pasqyron të vrarët dhe të plagosurit që nga fillimi i konfliktit më 7 tetor, shkruan Sky News. 

Grupi militant i Hamasit nisi një sulm masiv ndaj Izraelit mëngjesin e 7 tetorit. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme në Gaza. Të paktën 1271 persona në Izrael dhe mbi 2,329 në Gaza janë vrarë që kur shpërtheu dhuna.

Hamasi,që njihet si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe fuqitë e tjera botërore, udhëheq me Gazën që nga viti 2007.

Izraeli ka urdhëruar rrethimin e plotë të Gazës dhe autoritetet kanë thënë se kjo masë nënkupton ndërprerjen e ujit, ushqimit dhe energjisë për këtë territor.

Izraeli dhe Gaza deri më tani kanë zhvilluar katër luftëra, teksa palestinezët vazhdimisht kërkojnë të krijojnë një shtet të tyre me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.