Izraeli hap korridorin e ri nga ora 10:00-13:00, thirrje civilëve: Shkoni në jug

Izraeli njofton hapjen e një korridori të ri për evakuimin e civilëve në Rripin e Gazës. Sipas autoriteteve izraelite korridori i kalimit do të jetë i hapur nga ora 10:00 deri në 13:00, ndërsa u kanë bërë thirrje civilëve që të shkojnë drejt jugut të Gazës.

“Banorët e Gazës, ditët e fundit ju kemi kërkuar që të largoheni nga qyteti i Gazës dhe veriu i Rripit dhe të lëvizni në jug të Wadi Gazës për sigurinë tuaj. Sot ju informojmë se nga ora 10:00 deri në 13:00 Izraeli nuk do të godasë itinerarin e treguar nga harta jonë për të arritur në atë zonë. Për sigurinë tuaj, përfitoni nga kjo periudhë e shkurtër kohore për të shkuar në jug . Mund të jeni të sigurt”, tha zëdhënësi ushtarak, Avichay Adraee. 

Grupi militant i Hamasit nisi një sulm masiv ndaj Izraelit mëngjesin e 7 tetorit. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme në Gaza. Të paktën 1271 persona në Izrael dhe mbi 2,329 në Gaza janë vrarë që kur shpërtheu dhuna.

Hamasi,që njihet si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe fuqitë e tjera botërore, udhëheq me Gazën që nga viti 2007.

Izraeli ka urdhëruar rrethimin e plotë të Gazës dhe autoritetet kanë thënë se kjo masë nënkupton ndërprerjen e ujit, ushqimit dhe energjisë për këtë territor.

Izraeli dhe Gaza deri më tani kanë zhvilluar katër luftëra, teksa palestinezët vazhdimisht kërkojnë të krijojnë një shtet të tyre me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.