Ahmetaj sërish i pandehur në SPAK, akuzohet për privatizimin e ish-fabrikës së Bukës, i shkaktoi shtetit 7 mld lekë të vjetra dëm

Spak ka hapur një tjetër dosje ndaj ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Burimet kanë bërë të ditur se ai është marrë si i pandehur nga prokurori Elvin Gogaj pas mbylljes së hetimit për privatizimin e një fabrike në periferi të kryeqytetit.

Denoncimi për çështjen e kanë bërë ish pronarët, familja Myderizi, ndërsa mendohet se dëmi i shkaktuar shkon në 7 miliardë lekë.

Nën hetim mësohet se janë edhe 6 persona të tjerë të përfshirë në çështje dhe në pagesat e realizuara. Sipas dokumenteve për të njëjtën çështje ka diskutuar më parë edhe ish ministri i Financave Shkëlqim Cani por duke refuzuar të nisë procedurat.

Ankandi në fjalë është hapur në vitin 2014 ku dhe është realizuar shitja e parë e aksioneve shtetërore.

Familja Muderizi ka bërë të ditur se në vitin 1994 u është njohur pronësia nga agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronave, ndaj ata kishin edhe të drejtën e parablerjes. Por duket se një gjë e tillë nuk është respektuar duke u pasuar edhe me veprime në prokurorinë e posaçme.

Ahmetaj prej fundit të muajit korrik është shpallur në kërkim, pasi SPAK ka nënshkruar fletën e arrestit duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe pastrim të parave lidhur me dosjen e incineratorit të Elbasanit dhe të Fierit.

Pasi Parlamenti votoi pro kërkesës së prokurorisë për ti hequr imunitetin, avokatët e  ish zëvendëskryeministrit deklaruan se ai ishte larguar drejt britanisë së madhe, por ende nuk ka një rezultat për vendndodhjen e tij.