Jole: Ruajtje ekosistemit dhe diversitetit biologjik për Prespën dhe Liqenin e Pogradecit

Në Pogradec u zhvillua takimi mbi “Analizën METT 2023” për Parkun Kombëtar të Prespës dhe Peizazhin e Mbrojtur ujor/tokësor Liqeni i Pogradecit.

Në takimin e zhvilluar ishin të pranishëm prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Daniel Pirushi, drejtori i AdZM Korçë, Gjergji Koki, përfaqësues të bashkive, nga PONT, AdZM Korçë dhe organizata mjedisore që punojnë në territorin e zonës së mbrojtur.

Takimi u fokusua në prezantimin e situatës aktuale për të dy zonat dhe mbi çështje, për të cilat kërkohet bashkëpunimi dhe bashkëveprimi i përbashkët i të gjithë aktorëve.

Prefekti Jole tha se “objektivi më afatgjatë është nxitja e zbatimit të modeleve të qëndrueshme të zhvillimit ekologjik në zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare, ruajtja e ekosistemit e diversitetit biologjik, si dhe reduktimi i presionit jo të qëndrueshëm apo abuziv mbi burimet natyrore”.

Parku Kombëtar “Prespa” bën pjesë në zonat e mbrojtura të kategorisë 2, vendim i cili është shpallur në vitin 1999. Përfaqësuesit specifikë të florës dhe faunës në park janë venja (Juniperus excelsa), (Centaurea prespana), (Viola eximia), dhia e egër e Ballkanit (Rupicapra r. balcanica), ariu i murrmë (Ursus arctos) pelikani kaçurrel (Pelicanus Crispus).

Monumente natyre në park janë: Venjat e Kallamasitrit, Zgavra e Zaverit, Dushqet e Manastirit Djellas, Ishulli i Maligradit, Gurët e Mumjes, Shpella e Trenit.

Liqeni i Pogradecit është liqeni më i thellë tektonik në Ballkan (289m). Më 5 Korrik 2019, për shkak të pasurisë së lartë biologjike dhe kulturore të Liqenit të Ohrit, pjesa shqiptare e tij bashkë me zonën përreth, u përfshi në Listën e Trashëgimisë mikse Natyrore dhe Kulturore Botërore të UNESCO-s.