Censi i Popullsisë dhe Banesave, Ekonomi: Projeksion i zhvillimit të shoqërisë për 10 vitet e ardhshme

Shqipëria ka nisur prej 18 shtatorit procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave.

Deputetja e PS-së, ish-ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe ish-drejtuese e INSTAT-in në një intervistë për ATSH-në, u shpreh se censi i popullsisë dhe banesave është operacioni më i rëndësishëm statistikor që i ndodh një vendi.

“Regjistrimet nuk janë operacione të lehta, është operacioni më i rëndësishëm statistikor që i ndodh një vendi dhe ka të bëjë me krijimin e disa data bazave të të dhënave, që i shërbejnë politikëbërjes, për të hartuar politika si në nivel kombëtar dhe në nivel komunitar dhe rajonal. E para kur flasim për një regjistrim, ke ndjesinë që duhet të njohësh territorin, duhet të dish sa banorë jetojnë në këtë territor, sa familje ka në këtë territor, sa ndërtesa dhe banesa dhe pastaj informacionet vijnë duke u shtuar në lidhje me karakteristikat që do t’i japësh ndërtesës, familjeve, individëve. Regjistrimin nuk e bën vetëm Shqipëria por e bëjnë mjaft vende, sepse të dhënat e regjistrimit janë të dhënave që krahasohen globalisht, jo vetëm në nivel rajonal apo mes vendeve të BE-së, por krahasohen në nivel global dhe shërbejnë për të matur pritshmëritë e popullsisë të botës në periudha 10 apo 15- vjeçare”, u shpreh Ekonomi.

Në këndvështrimin e profesionistes në fushën e statistikave, Ekonomi u shpreh se e ka ndjekur procesin e regjistrimit.

“Mendoj se INSTAT është duke bërë një punë që shkon sipas rekomandimeve të Kombeve të Bashkuara, sepse dhe Kombet e Bashkuara e ndjekin procesin e regjistrimit nëpërmjet një libri, një guide, rregulloreje që ato hartojnë dhe është rregullorja për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave. Kjo rregullore për herë të parë e formësuar në këtë formë, që udhëheq të gjitha vendet që e kryejnë këtë regjistrim ka nisur në vitin 1957 dhe pastaj është përmirësuar hap pas hapi”, theksoi Ekonomi.

Sipas saj, kjo periudhë që përkon me postpandeminë dhe me një bum të përdorimit të mjeteve digjitale kudo në botë, natyrisht që krijoi nevojën e përditësimit të rregullores që përdornin Kombet e Bashkuara dhe këtë format ka marrë dhe INSTAT.

Për Ekonomin, në rregullore ndahen shumë mirë dy lloj pyetjesh: ato që janë pyetje kohore, që janë të domosdoshme për t’u bërë në pyetësorin e regjistrimit dhe ato që janë jokohore që mund t’i hartojnë vendet sipas nevojave dhe mundësive që ato kanë, sepse çdo pyetje për regjistrim ka nga pas një kosto dhe lidhet me faktin sesa mundësi kanë vendet për të kryer një regjistrim.

“Regjistrimi i INSTAT është duke ndjekur guidat ndërkombëtare dhe ka bërë organizimin e punës duke pasur parasysh hapat parapërgatitore që lidhen me pilotimin e censit duke parë sesi shkon pyetësori dhe organizmi në terren”, tha ajo.

Ekonomi theksoi se regjistrimi i popullsisë nuk është regjistrimi i pronave.

Sipas saj, regjistrimi i popullsisë nuk është regjistrimi i pronave, sepse pyetja që ka të bëjë me banesën është nëse je pronar, me qira apo proces legalizimi, pra nuk ka për qëllim të lidhë individin me pronën, por të marrë një informacion lidhur me karakteristikat e familjeve dhe sa ato pronësojnë në territor.

“Banesa është një nga gjërat që familja pronëson. Të tjera prona të paluajtshme janë tokat bujqësore dhe drurët frutorë dhe në pyetësor merret informacion lidhur dhe me këtë gjë. Sipërfaqen e tokës që ato kanë në pronësi, apo me qira në përdorim sikurse dhe numrin e drufrutorëve që kanë”, theksoi Ekonomi.

Censi i Popullsisë dhe Banesave, Ekonomi: Projeksion i zhvillimit të

“Të gjitha këto nuk kanë në qëllim të adresojnë pronën, por kanë qëllim të japin karakteristikat e një familje shqiptare që jeton si në zonën urbane dhe në zonën rurale”, tha ajo.

Duke folur për rëndësinë e censit, Ekonomi u ndal në ndikimin e tij në ekonominë dhe shoqërinë e vendit.

“Censi e ndihmon ekonominë në disa drejtime. Së pari, jep një informacion që ti e ke të lidhur me territorin ku ti shikon matjet që ke bërë nga vrojtimet dhe i kualidon në fund me regjistrimet. Shërben për të kualiduar statistikat që ti ke prodhuar në vend deri tani. Së dyti, shërben për të dhënë një mundësi që të krijosh databaza të tilla nga mund të tërheqësh masat e vrojtimeve të ardhshme. Të shërben për të fuqizuar mjetet statistikore dhe së treti mbi bazën e këtij informacioni harton politika arsimore, shëndetësore, sociale dhe të zhvillimit ekonomik. Por kryesisht shikon sesi do të shkojë popullata edhe për një periudhë 10-vjeçare, cili do të jetë projeksioni për rritjen e popullsisë për një periudhë 10- vjeçare”, theksoi ajo.

Gjithashtu, Ekonomi nënvizoi se një gjë e rëndësishme që del në përdorimin e regjistrimit të popullsisë është se mund të arrish të bësh dhe kërkime shkencore, të ngresh hipoteza që i ke parë si karakteristika të popullatës dhe ke menduar që kanë qenë të rëndësishme edhe në vitet e mëparshme dhe mund t’i verifikosh me regjistrim.

Ekonomi solli në vëmendje se regjistrimi i 2001, pati një analizë sesi ishte situata e tregut të punës, apo si të bëhesh i rritur në Shqipëri, apo një fakt tjetër që doli lidhur me lëvizjen e brendshme të popullatës, dhe çfarë modeli familjeje do të kishte veriu dhe verilindja në Shqipëri, nga ku pati dhe fluks më të madh drejt qendrës dhe jugut të vendit.

“Këto do të thoja janë të rëndësishme për regjistrimin e popullsisë", u shpreh Ekonomi.

Gjithashtu, sipas saj, censi të jep mundësinë të bësh databazë që të ndihmojnë për vrojtimet e ardhshme dhe të bësh tema studimore kërkimore me karakter social-ekonomik.

“Nuk ka biznes që nuk do ta përdorë regjistrimin e censit”, u shpreh Ekonomi.

“Mua më kujtohet në censin e 2001, mbase ai dyqan nuk ekziston më sot, ishte një dyqan që shiste këpucë. Pronari i dyqanit trokiti në derë dhe tha: mua më duhet të di grupmoshat që kam tek kjo zonë dhe unë e pyeta pse? Ai m’u përgjigj se duke ditur grupmoshat unë e di çfarë numri këpucësh duhet të sjell nga importi. Domethënë një biznes e di shumë mirë të orientojë aktivitetin e vet mbi bazën e informacioneve që ka në territor dhe e merr nga ky cens”, solli shembull Ekonomi.

Lidhur me pyetjet për etninë dhe fenë, që përmban censi, Ekonomi shpjegoi se, këto pyetje nuk janë pyetje të detyrueshme, ato vijnë në vijim të pyetjeve bazë dhe individët janë të lirë të deklarojnë, nuk ka asnjë sforcim për t’u përgjigjur këtyre pyetjeve.

Qytetarët vetëdeklarohen për atësinë, besimin fetar dhe gjuhën e nënës dhe mundësitë janë të përgjigjet, mos të përgjigjet dhe të mos e dinë, pra iu jepen të gjitha mundësitë.

Ndërkohë, vijoi ajo, grumbullimi i informacionit bëhet me tabletë dhe t’i ndërkohë e dëgjon dhe shikon si po plotësohet pyetësori në tabletë.



“Në fund kur mbaron pyetësori, ai të pyet nëse je i sigurtë dhe nëse jo ke të drejtën të rishohësh përgjigjen për të cilën ke dyshime. dhe pasi e konfirmon pyetësorin shkon tek databaza që kanë ndërtuar. Pra ka mundësi të reflektosh si individ. Këto pyetjet vijnë në rekomandim edhe të BE-së", u shpreh Ekonomi.

Ekonomi tha se ruajtja e informacionit të mbledhur është e siguruar dhe ruhet  konfidencialiteti si bazë e këtij procesi.