Shkencat bosh, pedagogu: Arsimi në kolaps, të merren masa. Rrjetet nepotike po shkatërrojnë sistemin dhe universitetet

Në 25 programe studimi që ofrojnë Universiteti i Tiranës, Politekniku dhe Universiteti i Bujqësisë ka të regjistruar për dy raundet e para më pak se 10 studentë.

Braktisja e këtyre programeve studimi rrezikon mbylljen apo shkrirjen e disa prej  këtyre degëve për të cilat senati akademik do të shqyrtojë rast pas rasti pas përfundimit të raundit të lirë të regjistrimeve  nëse këto programe do të mbyllen apo jo.

Për të kuptuar më shumë se çfarë po ndodh me degët e Shkencave të Natyrës, pedagogu Lush Sulaj në studion e lajmeve në “Ora News” renditi problematikat dhe arsyet e këtij kolapsi që po përjeton sistemi arsimor shqiptar.

“Ka ndodhur ajo që nuk duhej të ndodhte në asnjë mënyrë. Ka ndodhur lënia pas dore e arsimit dhe për t’i shpallur të paligjshëm në vendin tonë të rinjtë shqiptarë në moshë shkollore.

Ka ndodhur kapja e universiteteve nga rrjetet nepotike dhe si pasojë nuk ndodh qarkullimi i elitave dhe i ideve dhe qeveritë nuk kanë treguar asnjë lloj interesi në programet e tyre për zhvillimin e arsimit. Arsimi nuk është kaos, arsimi është shkencë, është ligj, është shpirt, është themeli i çështjes tonë kombëtare”, u shpreh ndër të tjera pedagogu Sulaj

Po ashtu ai do të kishte një apel të fortë lidhur me këtë kolaps që po përjeton arsimi dhe shoqëria shqiptare.

“Gjuha dhe femra shqiptare duhen mbrojtur me çdo kusht. Sot po përjetojmë një krizë të thellë shoqërore”, theksoi pedagogu Lush Sulaj.