"Aseti" në Elbasan/ Sekuestrohen rreth 1 milion euro pasuri të Eris Skënderit

Në kuadër të Operacionit policor të koduar “Aseti” në Elbasan, njoftohet se janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 1 milion euro në pronësi të Eris Skënderit.

Sipas burimeve mësohet se kjo pasuri dyshohet të jetë përfituar nga aktiviteti kriminal i Skënderit, i cili rezulton se është i dënuar me 6 vjet burg për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.

Njoftimi i Policisë Elbasan

Finalizohet operacioni policor i koduar "Aseti". 

Sekuestrohen pasuri me vlerë rreth 1 milion euro, të dyshuara të përfituara nga aktiviteti kriminal i një 34-vjeçari të dënuar për prodhim dhe shitje të narkotikëve. 

Në kuadër të një procedimi për gjurmimin, lokalizimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Aseti", si rezultat i të cilit është ekzekutuar vendimi i datës 24.09.2023, i i Gjykatës së Elbasanit, e cila ka vendosur sekuestrimin e 5 pasurive të shtetasit:        

Eris Skënderi, 34 vjeç, banues në Cërrik, i dënuar nga Gjykata e Elbasanit, me 6 vjet burgim, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".   

Në zbatim të vendimit të Gjykatës, është bërë sekuestrimi i pasurive me vlerë rreth 1 milion euro, konkretisht: 

-një objekt banimi me sipërfaqe 62 m2;  

-një objekt shërbimi me sipërfaqe 73 m2 , në Cërrik;

-2 automjete dhe 1 motomjet.

Vijon puna për gjurmimin, lokalizimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që kanë burim veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.