Vatrat e zjarrit në Pishë Poro dhe Darëzezë, Balla falënderon Greqinë për dërgimin e avionit Canadair
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla falënderoi sot Greqinë, e cila iu përgjigj kërkesës së vendit tonë për ndërhyrje nga ajri në vatrat e zjarrit në Pishë Poro dhe Darëzezë në Fier.
“Faleminderit Greqisë, e cila në kuadër të Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile ju përgjigj menjëherë kërkesës së Agjencisë sonë të Mbrojtjes Civile me një avion Canadair për ndërhyrje nga ajri në vatrat e zjarrit në Pishë Poro dhe Darëzezë në Fier”, u shpreh Balla në reagim.
Flakët në pyllin e Darëzezës vijojnë të përhapen, favorizuar nga era e fortë. Në terren janë angazhuar me dhjetëra forca për shuarjen e zjarrit.
Për të parë e ndjekur nga afër situatën, në terren ishte sot Ministri i Brendshëm Taulant Balla së bashku me Prefektin e Qarkut dhe kryetarin e bashkisë së Fierit.
Ministri Balla në fjalën e tij tha se, është kërkuar të aktivizohet Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së për shuarjen e zjarrit të madh me forca njerëzore të specializuara e logjistikë.

