Nipi i viktimës në kërkim/ Gjovalin Guri dyshohet i përfshirë në sulmin ndaj Zef e Gjin Gurit në Dukagjin
Nipi i babë e bir që u sulmuan me armë në Dukagjin të Shkodrës është shpallur në kërkim si autor I dyshuar I ngjarjes ku u vra Zef Guri dhe mbeti i plagosur Gjin Guri! 4 të dyshuar të tjerë u lanë të lirë nga policia pas dëshmive
Gjovalin Guri, nipi i 73-vjeçarit Zef Guri që mbeti viktimë e atentatit në Dukagjin të Shkodrës, ku i biri 46-vjeçar Gjin Guri u plagos, është në kërkim për ngjarjen.
Ai dyshohet se ka marrë pjesë direkte në sulmin ndaj xhaxhait dhe kushëririt, të ndodhur pasditen e së mërkurës në malin e Shoshit.
Martin Qershija, Edmond Nika, Kujtim Dholla dhe Çesk Serraj, katër persona që ishin shpallur në kërkim si të përfshirë në krim u vetëdorëzuan në Policinë e Shkodrës, dhe më pas deklarimeve u lanë të lirë
Edmond Nika, nga përpara komisariatit tha se ka prova që kur ndodhi vrasja nuk ishte në zonën e Dukagjinit
Ai theksoi se ka lidhje familjare me viktimën dhe të birin dhe se nuk ka informacion mbi atentatorët.
Babë e bir, Zef dhe Gjin Guri u qëlluan me breshëri plumbash teksa po qëndronin në lokalin e tyre. 73 vjecari ndërroi jetë nga plagët, ndërsa I biri po trajtohet në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Vrasësit përfituan nga errësira dhe terreni i thyer për t`u larguar nga vendngjarja.
Gjin Guri, i cili dyshohet të ketë qenë objektiv i sulmit njihet për precedentët penalë, ndërsa ishte dënuar për sulmin me armë ndaj helikopterit të policisë gjatë një aksioni anti-kanabis në vitin 2014 në Dukagjin.
Burime thonë se motivi i sulmit është një konflikt për shfrytëzimin e pyllit, por deri tani nuk përjashtohet as përplasja për kultivim kanabisi në këtë pyll.


