Dosja “Ahmetaj”, Dumani: Ka zhvillime surprizuese, Ahmetajn e dimë nga iku e ku shkoi, por ska ende arrestim
Zhvillime surprizuese pritet të ndodhin në çështjen penale kundër ish-zv/kryeministrit të vendit, Arben Ahmetaj.
Një paralajmërim i tillë u lëshua nga drejtuesi i prokurorisë së posaçme SPAK, Altin Dumani, i cili gjatë një takimi zyrtar me gazetarët, paralajmëroi zhvillime të reja në atë që quhet dosja “Ahmataj”.
Dumani, theksoi se hetimet për pastrim parash janë shtrirë tek biznesmenët që janë përfshirë në një seri transaksionesh bankare dhe hua financiare.
Lëvizje këto që kanë ngjallur mjaft dyshim mbi qëllimin e vertëtë të pagesave.
Në dosjen Ahmetaj, përmenden emra të njohur të botës së biznesit të përfshirë në transaksione fiannciare për llogari të përfitimit material nga Arben Ahmetaj dhe njerëzit e afërm të tij.
“…nuk kemi të dhëna konkrete se ku ndodhet Arben Ahmetaj. Është verifikuar dhe e kemi të qartë se kur ka dalë nga Shqipëria dhe ku ka shkuar. Ka zhvillime të reja dhe surprizuese…”-theksoi Dumani, pa dhënë shumë detaje për publikun.
Nga ana tjetër ish-ministri i Financave dhe ish-zv/kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj ka kërkuar nga arratia ndryshimin e masës së sigurisë dhe lirimin e pronave të tij, por të gjitha kërkesat e tij drejtur gjykatës s’kanë sjellë rezultat.
Sipas Dumanit, fakte të reja me natyrë domethënëse kanë dalë në skenë, të cilat implikojnë rëndë aktivitetin kriminal gjatë ushtrimit të detyrës së Arben Ahmetaj.
Deri në këtë fazë të hetimit, ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga homologët e huaj bashkëpunues të SPAK, nëse Arben Ahmetaj është lokalizuar dhe arrestuar. Ndërsa hetimet ndaj tij vijojnë dhe pritet që listës së personave të proceduar, të shtohen dhe emra të tjerë.
