Bardhi: Shqipëria të veprojë në mbështetje të Kosovës, të miratojmë rezolutën në Kuvend

Përmes një postimi në rrjetin social X, deputeti demokrat Gazment Bardhi shkruan se është koha që Republika e Shqipërisë të veprojë në mbështetje të Kosovës.

Ai thekson se rezoluta e miratuar sot nga Kuvendi i Kosovës duhet të miratohet pa asnjë vonesë edhe nga Kuvendi i Shqipërisë.

Bardhi: Fjalët që ndryshojnë sipas orëve të Edi Ramës në raport me zhvillimet në Kosovë nuk kanë asnjë vlerë. Është koha që Republika e Shqipërisë të veprojë në mbështetje të Kosovës.

Rezoluta e miratuar sot nga Kuvendi i Kosovës duhet të miratohet pa asnjë vonesë edhe nga Kuvendi i Shqipërisë. Si kryetar i Grupit Parlamentar të PD do të propozoj një mocion me debat mbi këtë çështje dhe në përfundim të të cilit, do të propozojmë miratimin e Rezolutës.

Kuvendi i Shqipërisë duhet të harmonizojë plotësisht qëndrimin e tij me Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar nga qeveria shqiptare, që në bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe aleatët ndërkombëtarë, të kërkojë dhe nxisë një hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë.