Berisha: Kërkesa e Ramës që në komunat e veriut të vendoset KFOR-i, djallëzore

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se kërkesa e Ramës që në komunat e veriut të vendoset KFOR-i është djallëzore dhe akuzoi kryeministrin se kërkon të ndajë Kosovën mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Berisha tha se këtë projekt Edi Rama për Komunat e Veriut të Kosovës e mbrojti për vite të tëra me shkëmbim territoresh, por ky projekt ka dështuar, është arkivuar njëherë e mirë.

“Tezat e padronit dhe shtoj në këtë mënyrë, akuzat ndaj Kosovës, udhëheqjes së saj në problematikën e marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit.

Edi Rama kërkoi sot fjalë për fjalë siç kërkoi Beogradi dhe mashtroi shqiptarët dhe publikun se gjoja ka kërkuar Prishtina që komunat e veriut të Kosovës të vendoset KFOR-i. Njësitë ushtarake të KFOR-it si njësi të NATO-s, kanë përgjegjësi ndërkombëtare për garantimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe mbrojtjes së saj.

Qeveria e Kosovës në radhë të parë dhe partnerët ndërkombëtar nuk janë dakord as me padronin e Edi Ramës, Vuçiç dhe argatin e tij në Tiranë.

Ata mendojnë dhe besojnë se, përgjegjëse për sigurinë e rendit në të gjithë territorin e Kosovës është Policia. Ajo është linja e parë në garantimin e rendit dhe luftën ndaj kriminalitetit, në të gjithë territorin pa përjashtuar asnjë zonë.

Natyrisht në çdo rast ajo bashkëpunon dhe duhet të bashkëpunojë me KFOR-in dhe EULEX-in, sa herë që t’i paraqitet nevoja.
Por kërkesa e Edi Ramës me porosi të Aleksandër Vuçiç që komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe të vendosen nën kontrollin e KFOR-it është një kërkesë djallëzore e cila nuk ka qëllim tjetër përveç indirekt për të dalë tek ndarja e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Këtë projekt Edi Rama për Komunat e Veriut të Kosovës e mbrojti për vite të tëra me shkëmbim territoresh, por ky projekt ka dështuar, është arkivuar njëherë e mirë.

Ndaj dhe dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim të Edi Ramës që shkon fund e krye në përputhje me kërkesat e Beodradit”, deklaroi Berisha.

Me tej, ai theksoi se konferenca për Kosovën që kërkon Rama, mbështetet nga Lavrovi, ndërsa shtoi se ndërkombëtarët janë kundër saj.

“Së dyti! Edi Rama nxori përsëri nga sirtarët, kërkesën për konferencë ndërkombëtare të paraqitur nga Beogradit dy vite më parë dhe të mbështetur fuqimisht nga Lavrov. Një konferencë ndërkombëtare për Kosovës ka qëllim vetëm të zhbëjë të gjitha ato që janë arritur dhe të shënojë një fillim nga e para për llogari të nacionalizmit serb.

Komuniteti ndërkombëtar ka treguar angazhim maksimal. Vetë kancelari Scholz, presidenti Macron, sekretari Blinken, janë angazhuar direkt. Vetë plani franko-gjerman është dorëzuar. Edi Rama në parashtresën e tij fajëson Kosovën për mos zbatimin e këtij plani, në një kohë kur kryeministri i Kosovës në Ohër ishte i gatshëm ta firmoste, kurse homologu i tij, serbomadhi Vuçiç deklaroi se, unë nuk e firmos kurrë atë.

Duke kërkuar konferencë ndërkombëtare, Edi Rama përsëri mendon se refuzimi i Serbisë i çdo opsioni tjetër përveç se, i një republike serbe të tipit të asaj të Bosnjes në Kosovës, do mund të shkohet drejt shpërbërjes së Kosovës dhe ndarjes  së saj mes Serbisë dhe Shqipërisë”, u shpreh Berisha.

Berisha theksoi se Vuçiç kërkon të përgjakë Kosovën.

“Dënoj me ashpërsinë më të madhe ndërhyrjet e Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës.

Edi Rama sot është një bashkëfajtor, bashkëdelikuent me McGonigalin dhe nuk ka asnjë tagër moral dhe ligjor të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës.

Edi Rama me ndërhyrjet e tij përpiqet të acarojnë më shumë situatën. Në momentet kur është bërë e qartë për të gjithë botën, se padroni i tij Vuçiç ndërkohë që ulet në negociata në Bruksel, dërgon banda terroriste me uniformë shtetërore dhe armë të ushtrisë për të organizuar ndërhyrje të armatosur në Kosovë.

Kërkon me çdo kusht të përgjakë Kosovën, paçka se Edi Rama vetëm pak javë më parë u tha shqiptarëve dhe botës se aty nuk mund të shkrepet kurrë një pushkë.

Edi Rama doli sot para mediave si një diktator ose i sëmurë psikik.

Qëndrimet e analistëve, gazetarëve, ndaj qëndrimeve të Ramës, mos pajtimin, kritikat e tyre të hapta i shpalli plumba. I shpalli kërko ngase përroi i tij psikik shpërtheu apo i shpalli nga mentaliteti i tij atëror është për tu shqyrtuar. Por të shpallësh plumba kundërshtitë e analistëve, politikanëve, gazetarëve, të qëndrimeve të tij fund e krye si argat i Vuçiç është një akt më së paku antidemokratik.

Së fundi, PD dënon me forcën më të madhe çdo ndërhyrje të Edi Ramës në punët e brendshme. Ajo i bën thirrje ndërkombëtarëve të mos lejojë këtë ndërhyrje, sepse në mënyrë absolute është e dëmshme dhe aspak e dobishme.

I bëj thirrje qeverisë së Kosovës, institucioneve të saj të bëjnë gjithçka për garantimin e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve dhe serbëve, e minoriteteve të tjera në Kosovë.

I bëj thirrje policisë së Kosovës dhe i mbështes plotësisht, të garantojë rendin dhe sigurinë për qytetarët e republikës në të gjithë territorin e saj.

I bëj thirrje qeverisë së Kosovës, autoriteteve të shtetit të Kosovës, të japin çdo kontribut të mundshëm për arritjen e një marrëveshje e cila pengohet para së gjithave nga përpjekja e Beogradit për të garantuar një asociacion që vendos republikën serbe të Bosnjes në Kosovë.

Shtoj me këtë rast se një asociacion ekstra kushtetues do të ishte një thikë e tmerrshme jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin.

I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar në bazë të zhvillimeve të fundit të vendosë sanksione ndaj Aleksandër Vuçiç, njeriu që prej vitesh duhet të ishte në Hagë, si doktrinar gjenocidi, si autor i të gjitha akteve të dhunës në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ai sillet në Ballkan si një Millosheviç i ri, por në kohën e konfliktit, të sulmit barbar të Rusisë ndaj Ukrainës, ai sillet si një Putin i vogël.

Mirëkuptoj çdo përpjekje për të orientuar Serbinë drejt perëndimit, por të vërtetat janë se qëndrimet që mban ndaj sanksioneve ndaj Rusisë, qëndrimet që mban ndaj Kosovës, me aktet konkrete që ai ka ndërmarrur muajt e fundit, dëshmon se ai mbetet një serbomadh, një Millosheviç i ri, një Putin i vogël, një armik i rrezikshëm i paqes dhe stabilitetit në rajon.”, u shpreh Berisha.