Berisha: Përgjegjësit e vërtetë të djegësit të Tiranës janë ende të lirë. Të dielën qytetarët e Kukësit votojnë për dinjitetin e tyre
Ish-kryeministri Sali Berisha, i ka përcjellë një video-mesazh sot, banorëve te Kukësit, që të votojnë kandidatin e opozitës Emri Vatën për kryetar bashkie.
“Të dielën qytetarët e Kukësit votojnë për nderin, dinjitetin e tyre, votojnë për Emri Vatën“, shkruan ai.
Disa pamje të dhimbshme që ilustrojnë mjerimin në këtë zonë dhe skenat dramatike që janë parë në mbarë botën të të rinjve kuksianë që vrapojnë me gomone mbi supe për të hyrë në Kanalin Anglez përmbyllen me mesazhin shpresëdhënës të Partisë Demokratike:
“Të dielën Kukësi ngjyroset blu! Stop shpopullimit! Stop varfërisë. Të shpëtojmë Kukësin! Voto Emri Vatën!” bëhet thirrje në të.
Ndërkaq në konferencën e përjavshme për shtyp, ish-kryeministri Berisha theksoi se përgjegjësit e vërtetë të djegësit të Tiranës janë ende të lirë.
“Kam deklaruar para jush këtu dhe kudo, se sipërmarrja e djegësave ka pronar qeveritarë, kurse Zoto dhe Mërtiri janë thjesht pronarë në letra dhe mundet aksionerë në një shkallë të caktuar.
Këtë tezë e kam bazuar te njohuritë e mia si ish-kryeministër, sepse aktet e kryera, nuk mund të ndodhin kurrë përveç nga interesa perverse të përvetësimit dhe pasurimit të qeveritarëve. Kurrë, një zyrtar nuk mund t’i lejonte vetes firma të tilla dhe akte të tilla.
Kurrë ndonjëherë, Zoto dhe Mërtiri nuk do mund të arrinin të ndryshonin strategjinë e trajtimit të mbetjeve urbane në bashkinë e Tiranës dhe qarkun e Tiranës, nga strategji e hartuar nga IFC për landfill dhe absolutisht kurrë djegie, siç gënjen pronari i vërtetë i djegësit.
Askush nuk mund të zëvendësonte këtë strategji me djegien, përveç Erion Veliajt.
Askush tjetër nuk mund të falsifikonte vendime të Këshillit Bashkiak dhe të Këshillit të Qarkut, përveç ai që kishte parashikuar që vidhte qindra miionë euro në këtë ndërmarrje.
Askush nuk mund të detyronte në kundërshtim me ligjin, me tre polici, të gjithë ndërtuesit dhe qytetarët e Tiranës, që çdo dhe, çdo material interte, t’i depozitonte me detyrim në Sharrë, përkundrejt një pagese, duke vendosur një rrethin të plotë të Tiranës.
Askush, përveç Erion Veliajt nuk mund të propozonte bonus 8 përqind për kompaninë e tij të djegësit të Tiranës. Askush nuk mund të merrte përsipër me shkrim se fizibiliteti është i vërtetë, edhe pasi ta kthente pesë herë Ministria e Financave.
Askush nuk mund të zotohej që do mbikëqyrte çdo muaj punimet përveç Erion Veliajt. Dhe Erion Veliaj është i lirë. Çfarë kanë zbulimet e fundit? Zbulimet e fundit faktojnë atë që u kam deklaruar ju në mënyrë të vazhdueshme.
Ndërmarrja është e Erion Veliajt. Sot, në dosjen e SPAK ekzistojnë mesazhe, emaile, në të cilat pronari i djegësit që nuk ekziston, Erion Veliaj, urdhëronte Mërtirin t’i jepte 200 mijë euro Karlo Bolinos, 100 mijë euro Fugës, 100 mijë euro Blushit.
Lista vazhdon, por po ndalem me këta të tre. Pra, ishte ky pronari i parë që urdhëronte se kaq para t’i jepen këtij apo atij. Kjo është e vërteta.
Pse e thashë këtë këtu? E thashë këtë së pari në mbështetje të tezës se unë kam shtruar se sipërmarrja nuk mund të jetë kurrë Mërtiri-Zoto. Kjo nuk mund të ndodhë kurrë.
Mua më kanë thënë edhe përqindjet e aksioneve të Veliajt. Por unë po rezervohem. Këtë njoftim e bëra se po bëhen tentativa për të zhdukur fashikuj në dosjen e SPAK-ut.
Nëse aty ka prokurorë të ndershëm, ta kyçin me tre çelësa këtë dokument në kasafortë që fakton në mënyrën më përfundimtare pronësinë e djegësit të Tiranës.
Ta kyçin, madje ta shpërndajnë fotokopje. A ju kujtohet ju, a nuk humbën në katastrofën më sekrete të Ministrisë së Brendshme, a nuk u vodhën dosjet e krimit në katastrofë?
Përveç kësaj, unë u them se çështja e fashikujve është një problem madhor. Unë e shtrova këtu para jush, por ka të dhëna të tjera se aty ka kriminelë të mirëfilltë, që zhvillojnë veprimtari kriminale në gjirin e SPAK dhe të BKH.
Ndaj dhe uroj që të merren të gjitha masat. Këto dokumente kaq të rëndësishme, të cilët tashmë rrëzojnë përfundimisht tezën e myshteriut, se unë kam qenë myshteri i Zotos, thotë hajduti Erion Veliaj.
Ndaj dhe, ky zhvillim është pozitiv, por të presim, të vëzhgojmë se çfarë rrjedhje do marrin. Për Erion Veliaj ka edhe dokumente të tjera. Sapo të disponohen, të parët do i merrni vesh ju se unë i sjell ju që publiku t’i marrë vesh përmes medias", u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha.




