EMRAT/ Tre vende vakante, shpallen kandidatët zyrtarë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë

Prokuroria e Përgjithshme ka shpallur emrat e pesë kandidatëve në garë për tre vende vakante në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Përmes një njoftimi për mediat, Prokuroria e Përgjithshme bën me dije se, pas verifikimit të kandidaturave që shprehën interesin për t’u bërë pjesë e garës për tre vendet vakante në KLP, nga radhët e Prokurorisë janë pesë kandidatura të cilat pritet të jenë në garë për pozicionet vakante.

“Pas verifikimit të plotësimit të kushteve ligjore të kandidatëve që kanë shprehur interesin për t’u zgjedhur anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, verifikim që u realizua pas disponimit të informacionit të ardhur nga Drejtoria e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet ish-Sigurimit të Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme shpall zyrtarisht kandidaturat për zgjedhjen e 2 prokurorëve nga radhët e prokurorëve të prokurorisë pranë gjykatës së shkallës së parë dhe 1 prokurorë nga radhët e prokurorëve të prokurorisë pranë gjykatës të apelit të juridiksionit të përgjithshëm”, njofton Prokuroria e Përgjithshme.

Sipas njoftimit emrat e kandidatëve janë:

– Afërdita Ndoi  –      Prokuroria e apelit të juridiksionit të përgjithshëm Tiranë

– Moisi Duda     –      Prokuroria e apelit të juridiksionit të përgjithshëm Tiranë

– Edina Kurti     –       Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Durrës

– Edlira Bako     –      Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Elbasan

– Elsa Miha        –      Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Tiranë

– Olger Eminaj   –      Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Korçë

– Vatë Staka       –     Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Shkodër

“Në vijim, Prokurori i Përgjithshëm, jo më vonë se dy muaj para datës së mbarimit të mandatit të anëtarëve prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë në detyrë, do të thërras Mbledhjen e Përgjithshme të prokurorëve të të gjitha niveleve për të zgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit”, përfundon njoftimi.