Ndërroi fanellën me Messin, masakrohet në rrjet portieri i Ekuadorit

Një masakër e vërtetë në rrjetet sociale për portierin e Ekuadorit, Hernán Galíndez pas humbjes 1-0 në ndeshjen kundër Argjentinës të vendosur nga një gol i Lionel Messit. Ekuadorianët kanë vërshuar në profilet e tij zyrtare me sharje dhe ofendime pas gjestit të tij në fundin e ndeshjes kur ndërroi fanellën me fituesin e 7 Topave të Artë.

Portieri me origjinë argjentinase akuzohet për mungesë besnikërie dhe pozitën e tij e bën më të komplikuar fakti që ai ka lindur në të njëjtin qytet me kampionin e botës, Rosario. “Ai më shënoi për herë të parë. Ishim komshinj dhe jemi i njëjti brez”, shkruan Galíndez, i cili më pas ka marrë një lumë kritikash. Në vijim ai shton se i dhemb shumë kur e akuzojnë se e ka lejuar Messin të shënojë.

“E dija që do më kritikonin por fanellën e shkëmbeva për të bërë të lumtur djalin tim 6-vjeçar. Më dhemb shumë kur më thinë se nuk e dua Ekuadorin. Jetoj prej 12 vitesh dhe kam treguar gjithmonë respekt e gjithmonë ma kujtojnë që nuk kam lindur këtu. Kam luftuar shumë për të qenë ekuadorian dhe nuk do ta harroj kurrë ditën kur ia dola mbanë”, shton portieri.