Xhimshiti beson verbërisht te Shqipëria e bashkuar edhe në fushën e blertë
Në një intervistë për gazetën kosovare "Telegrafi", qendërmbrojtësi i Shqipërisë, Berat Xhimshiti flet për katër pikët e marra në muajin shtator, shanset e Shqipërisë për të shkuar në Euro 2024, tre ndeshjet e ardhshme, prurjet e reja në Kombëtare si dhe për këngët patriotike që janë bërë virale duke u kënduar nga futbollistët së bashku me tifozët.
"Janë katër pikë të mëdha, edhe pse kemi pasur dy ndeshje shumë të vështira. Gjithsesi janë katër pikë shumë të rëndësishme që na kanë vendosur në krye të Grupit dhe jemi shumë të lumtur.
E përmenda që kemi mundur të marrim edhe më shumë. Ndeshjen e parë me Poloninë kemi mundur të merrnim më shumë dhe nuk e merituam humbjen, por edhe me Çekinë kemi pasur rast të merrnim më shumë, por në fund mendoj se ishte rezultat i drejt.
Ende nuk është bërë asgjë pasi kemi edhe tre ndeshje apo tre finale. Duhet t’i marrim me seriozitetin më të madh pasi duam të fitojmë që të tre duelet për të qenë të sigurt. Dëshira është e madhe të shkojmë në Evropian, por duhet të jemi me këmbë në tokë dhe t’i marrim ndeshjet seriozisht deri në fund.
Nuk e di nëse është Shqipëria më e forta në histori, por di të them se padyshim që është Shqipëria më e talentuar. Është një miks i mirë mes futbollistëve me përvojë dhe talenteve të rinj dhe po funksionon shumë mirë.
Është krenari e madhe që jam kapiten i Kombëtares. Trajneri ka vendosur që ta mbajë unë shiritin edhe pse ka thënë që brenda grupit janë katër ose pesë lojtarë që janë kapitenë. Për mua është nder i madh të jam kapiten i Shqipërisë.
Unë nuk jam ai lloj futbollisti që bërtas apo jam arrogant edhe pse kam shiritin në krahë. Më thonë kapiten i heshtur, por mundohem që t’i motivoj gjithmonë shokët dhe me qetësi e maturi të marrim edhe fitoret. Shpresoj që me mua si kapiten të shkojmë në Evropian, është ëndrra e gjithë shqiptarëve.
Sa i përket grupit mund ta konfirmoj se jemi shumë të bashkuar. Edhe më parë ishim, por me ardhjen e trajnerit Sylvinho jemi shumë të bashkuar. Sakrifikojmë të gjithë për njëri tjetrin, luftojmë të gjithë për njëri tjetrin dhe vetëm në këtë mënyrë sukseset vijnë si grup.
Ne jemi familje dhe çdo i ri që vije në familje pritet në mënyrën më të mirë. Jemi disa futbollistë më të vjetër që gjithmonë përkujdesemi që t’i afrojmë me grupin edhe lojtarët e rinj që vijnë. Si Daku ashtu edhe Muja janë pritur shumë mirë, janë ambientuar menjëherë dhe kanë luajtur tanimë duke shfaqur cilësitë e tyre pasi janë dy futbollistë shumë të mirë.
Kemi tre finale dhe përqendrimi duhet të jetë 100 për qind. Tifozët na kanë mbështetur kudo që kemi luajtur dhe ata janë forca jonë. Duam mbështetjen e tyre edhe në këto tre finale dhe pastaj të shkojmë së bashku në Gjermani. Është ëndërr e imja që të luaj në Evropian me Kombëtaren pasi herët e parë nuk isha i ftuar".
