U bë skandal, prokuroria ekspertizë nr.2 për dhunën e Rrajave. Caktohen 3 ekspertë të rinj për qartësimin e dëmtimeve
Prokuroria e Tiranës ka caktuar sot tre ekspertë të rinj për ekzaminimin mjeko-ligjor të dëmtimeve në trup ndaj dy të plagosurve, Jashar Maja dhe Bilbil Maja.
Dy kushërinjtë në fillim të muajit Korrik 2023, u dhunuan barbarisht nga 9 anëtarë të fisit Rraja, teksa ata ndodheshin duke pirë kafe në ambjentet e një lokali.
Vendimi për kryerjen e ekspertimit të dytë, erdhi pas skandalit që përfshiu çështjen me konkluzjonin e ekspertizës së mjekut Elton Serani, i cili klasifikonte dëmtimet e dy të dëmtuarve Maja, si dëmtime të lehta dhe jo të rënda.
Çështja u përfshi ka debati mediatik dhe solli reagimin e Jashar dhe Bilbil Maja, të cilët një ditë më parë deklaruan se do denonconin në SPAK, veprimet e ekspertit Elton Serani.
Me sa duket me këtë akt-ekspertimi nuk është pajtuar dhe prokuroria e Tiranës, e cila ka vendosur që ditën e sotme të urdhërojë një ekspertim të dytë, duke caktuar tre ekspertë.
Ekspertët kanë marrë sot detyrën dhe pritet që në ditët në vijim të njohën me materialet hetimore që ndodhen në dosjen penale të regjistruar në prokurori.
Pritet që brenda tre muaj, tre ekspertët e institutit të Mjekësisë-Ligjore, të dalin në përfundimin nëse Jashar Maja dhe Bilbila Maja, kanë marrë plagë të lehta apo plagë të rënda.
Kjo ekspertizë do qartësojë prokurorinë e Tiranës në kualifikimin e saktë të akuzës nëse autorët kanë kryer veprën penale të “Plagosjes së rëndë me dashje” apo “Plagosjes së lehtë”.
Prokuroria, nuk mund ta ndjekin kryesisht dhe me iniciativë këtë dosje, nëse ekspertët thonë se plagët e mara janë të lehta. Por me qëllim mbajtjen në këmbë të kësaj çështje, prokuroria ka kërkua në 8 Gusht 2023 që dy të dëmtuarit Maja, të rikonfirmojnë vullnetit e tyre për të bërë ankim para prokurorit të çështjes.
Dy kushërinjtë nuk kanë pranuar ta paraqiten në prokurori, duke kërkuar riekspertim të ri dhe paralajmëruar kallëzim penal në SPAK për Elton Seranin.
Personat nën hetim për ngjarjen e rëndë të ndodhur në fillim të muajit Korrik, janë Ineidi Rraja, Andi Rraja, Eni Kullaj, Përparim Rraja, Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Rexhep Rraja, Klajdi Rraja dhe Edison Meta. Disa nga këta persona janë arrestuar dhe aktualisht janë lënë në masën e “arrestit në burg”.
Ndërsa Rexhep Rraja, djali Rahmanit, deputetit të PS në Fushë Krujë dhe Xhelal Rraja vijojnë të jenë në kërkim policor. Pamjet filmike që tregonin dhunën barbare të dy kushërinjve Maja, sollën më pas reagimin e deputetit të PS, Rrahman Rraja, i cili kërkoi ndjesë publike duke dorëzuar mandatin e deputetit të PS.
Incidenti i rëndë mes fisit Rraja dhe dy kushërinjve Maja, erdhi pas një zinxhiri përplasjes për një gurore në fshatin Borizanë.
Si pasojë e shpërthimeve me tritol në gurore, disa prej anëtarëve të familjes Maja, ju ishin dëmtuar banesat, çka solli ngritjen e tyre në protestë duke bllokuar rrugën ku kalonin kamionët e gurores.
