Zbardhen prapaskenat e aksidentit me makinë të Qirkos, ja sa do të mungojë portieri i Partizanit
Ky fillim sezoni është shndërruar në një “makth” për Partizanin sa u përket dëmtimeve. Së fundmi, edhe Pano Qirko i është shtuar listës së infermierisë. Ditën e djeshme klubi i Partizanit njoftoi dëmtimin e portierit për shkak të përfshirjes së tij në një aksident automobilistik. Klubi zbuloi edhe detajet mbi problemin fizik të portierit të lindur në Vlorë, si dhe konfirmon mungesën e tij në ndeshjen ndaj Vllaznisë, të enjten në orën 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi”.
“Pano Qirko humbet sfidën ndaj Vllaznisë. Titullari i kuq, si pasojë e një aksidenti automobilistik, ka pësuar dëmtim të brinjëve dhe aktualisht po trajtohet në ambientet e ‘Spitalit Amerikan 3’. Gjendja shëndetësore e Qirkos aktualisht paraqitet optimale dhe po monitorohet nën kujdesin edhe të stafit mjekësor të Partizanit”, shkruhet në njoftimin e klubit përbri një fotoje të gardianit në ambientet e spitalit.
PRAPASKENAT – “Panorama Sport” mëson nga burime pranë klubit se ngjarja ka ndodhur ditën e premte në kryeqytet. Gardiani ka qenë në automjet si pasagjer duke udhëtuar me një të afërm të tij, kur një tjetër automjet ka goditur nga pas makinën me të cilin udhëtonin Qirko dhe i afërmi i tij, që ishte edhe shoferi i makinës.
Goditja ka rezultuar të jetë mjaft e fortë, aq sa është dashur që gardiani të shkojë për një kontroll në spital, ku i janë konstatuar plasaritje në dy prej brinjëve. Fatmirësisht nuk ka rezultuar të jetë diçka e rëndë, me Qirkon, që sot do të lërë spitalin dhe në ditët në vijim pritet të kthehet në stërvitje. Nuk kemi të bëjmë me një dëmtim që e mban shumë jashtë fushave, por situata e gardianit do të ndiqet me kujdes, pasi vetë specifika e portierit rrezikon një përshkallëzim të dëmtimit.
SHUMË DËMTIME – Fati i keq nuk po i ndahet Partizanit në këtë fillimsezoni sa u përket dëmtimeve. Lëndimi i Qirkos bëhet i shtati në radhë për “demat” që nga nisja e ndeshjeve të kompeticioneve europiane.
Dy nga këto dëmtime kanë ndodhur jashtë fushës dhe kanë qenë situata të ndryshme. Alfred Mensah u operua prej apendicitit dhe e vonoi shumë rikthimin, ndërkohë që së fundmi ndodh edhe ngjarja e Qirkos. Nga ana tjetër, përveç gardianit, edhe Sembene dhe Kote kanë pësuar fraktura në kocka, teksa problemi i senegalezit rezultoi të ishte më seriozi. Probleme muskulore kanë shfaqur Andi Hadroj, Kristian Mba dhe Adnard Mehmeti.