Votohen ministrat e rinj, Berisha: Do e bënte Ministre të Jashtme Spiropalin, por i doli video teksa takohej me Bajrajt dhe Gjokën

Pas përfundimit të seancës së sotme plenare ku u miratuan dekretimet e Presidentit për emërimin e ministrave të rinj të qeverisë Rama, ka folur për mediat Sali Berisha duke hedhur akuza të forta.

Ai tha se kjo seancë ishte si sesionet e klaneve mafioze, ndërsa akuzoi edhe ministrat e rinj si të përfshirë në korrupsion.

Me tej Berisha hodhi akuza të forta ndaj Elisa Spiropalit, që sipas tij ishte projektuar për t’u bërë ministre e Jashtme, por në momentet e fundit ka dalë një video që ka detyruar Ramën që ta anulojë emërimin e saj.

Berisha thotë se në këtë video shfaqet Spiropali duke bërë mbledhje me anëtarë të grupit Bajri, Pëllumb Gjokën dhe anëtarë të tjerë të bandave të Shkodrës.

“Kjo seancë ishte tipike me një sesion që mund të zhvillohet në shpellat apo bodrumet e mafies. Shëmbëllente me një takim të mafiozëve në të gjitha aspektet. Të gjitha ndryshimet e qeverisë kishin diktat krimin dhe vetëm krimin.

Largohet Xhaçka, e cila pasi bëri burrin investitor strategjik, u vërsul e papërmbajtur drejt pronave të ushtrisë dhe nuk ka lënë gjobë pa vjedhur me klanin e saj.

Ajo zëvendësohet me një diplomat i cili bën një gabim fatal të jetës së tij pasi ishte zgjidhja e minutës së fundit. Përgatitjet për të zënë vendin e ministrit të jashtëm i kishte bërë Spiropali.

Por një video që doli në fundit ku Spiropali bënte mbledhje me Bajrajt dhe Gjokën dhe bandat e tjera të Shkodrës në një hotel afër Shkodrës, detyroi Ramën të anulonte. Sa të më bjerë në dorë ajo video do ta bëjë publike.

Erdhi në qeveri përfaqësuesi i Ndraghetës. Largimi i Krifcës, filloi t’i japë burrit si nënkontraktori i Gjikurisë nga tenderat e bujqësisë… ato që erdhën nuk janë më pak se Krifca. Koçiu ka një histori të hidhur 8-vjeçare, ku faktohet se emërimet i bënte me ryshfet. Shkon në një sektor që Ogerta e la në agoni”, tha Berisha.

Berisha tha se ndryshimet në qeveri, janë “përpjekje për të larë fytyrën, por e nxinë atë dhe më shumë”.

“Unë s’di asgjë për Igli Hasanin, por di marrëzinë e tij që pranohet të vihet në shërbim të Edi Ramës. Si mundet një diplomat me karrierë të pamohueshme në diplomaci, të vihet në shërbim të një njeriu i cili u damkos në rajon si sherr ndjellës, vasal i Vuçiçit, si njeri që u diskreditua me qëndrimet antishqiptare dhe proVuciç, që na mbolli një sherr të paparë me fqinjin tonë jugor, Greqinë.

A mundet një diplomat ta vërë veten në shërbim të një antishqiptari? Këtë e bën vetëm një diplomat dritëshkurtër. Për atë Meten, ka ca gjëra për t’i shpjeguar më vonë”, deklaroi Berisha.

Ai vijoi akuzat ndaj ministrit të Brendshëm Taulant Balla për lidhje me krimin.

“Taulant Balla njeriu me dy ose tre telefona të kriptuar. Me dy vinte këtu në parlament, po thonë që kishte dhe më shumë. Ka mbajtur komunikim të vazhdueshëm me eksponentë të krimit të organizuar në Belgjikë, Holandë etj. Ka ndërsyer banditë ndaj opozitës.

Shoqëruesi me pasaportë diplomatike 57 herë i Edmond Begos i cili njihej si një nga trafikantët më të mëdhenj të Italisë dhe rajonit. Balla i implikuar me Gentian Sharrën, bandit dhe vrasës i Elbasanit.

Balla është akuzuar si i implikuar në vrasjen e avokatit Gurra, i cili kishte dijeni si avokat për regjistrimet që ekzistonin se Balla ishte porositës vrasjesh”, tha Berisha.