Basha dhe Alibeaj nuk do jenë sot në Kuvend, por të mërkurën do mbledhin Kolegjin e Kryetarëve dhe Kryesinë

Kryetari i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha nuk do të jetë në seancën e sotme të Kuvendit, ku pritet të miratohen emrat e rinj të kabinetetit qeveritar.

Gazetari Isa Myzyraj raporton për "Ora News" se Basha ndodhet jashtë vendit në një mbledhje në Këshillin e Europës, ku do të qëndrojë për 2 ditë.

Ndërkohë që menjëherë pas kthimit nga Franca, Basha pritet që të mërkurën të mbledhë Kolegjin e Kryetarëve dhe Kryesinë e re.

Po ashtu, në seancën e sotme do të mungojë edhe Sekretari i Përgjithshëm, Enkelejd Alibeaj, i cili ka udhëtuar në Itali për arsye familjare.

Sakaq ditën e shtunë Basha mblodhi Këshillin Kombëtar ku u zgjodhën edhe forumet e larta drejtuese të partisë, që nga Sekretari i Përgjithshëm te nënkryetarët.