Shpopullimi, Bakiu: Kemi 1000 nxënës më pak në shkolla! Të rritet financimi i arsimit në jo më pak se 5% e PPB
Deputetja e Partisë Demokratike, Merita Bakiu tërhoqi sot vëmendjen në një deklaratë për mediet për një sërë problematikash që sipas saj, mund të pengojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe edukativ në arsimin parauniversitar.
Në ditën e parë të shkollës, Bakiu përcolli edhe urimet për nxënësit dhe mësuesit, ndërsa u ndal tek disa problematika, mes të cilave veçoi infrastrukturën shkollore.
Sipas saj, sot pas 4 vitesh nga tërmeti i nëntorit 2019, ende nuk janë rindërtuar shkollat e dëmtuara prej këtyre fatkeqësive natyrore.
“Më e rëndë situata është në qarkun e Durrësit. Vetëm bashkia Durrës, raporton për 14 shkolla e kopshte, që ende nuk do të çelin dyert e tyre ne vitin shkollor 2023-2024 dhe se më shumë se 7200 nxënës, do të bëjnë mësim me dy turne Në qytetin e Durrësit, gjimnazet ikone, “Gj. K. Skënderbeu” dhe “Naim Frashëri”, presin ende të jenë funksionale Është rasti të sjellim në vëmendjen e opinionit publik, deklaratën e Kryeministri Edi Rama në dhjetorin e 2019-s, në lidhje me rindërtimin e shkollave pas tërmetit. I cili ka deklaruar se“Shkollat, kopshtet, spitalet, qendrat shëndetësore të dala jashtë funksionit, do të rindërtohen nga e para deri në shtatorin e ardhshëm (të vitit 2020)”, u shpreh ajo.
Po ashtu, sipas saj, në Tiranë duke filluar nga shkolla “Emin Duraku”, “Musine Kokalari” dhe një seri shkollash të tjera do të jenë në rikonstruksion, ndërkohë që edhe në shkolla të propaganduara si të gatshme për të filluar procesin mësimor, sikundër është rasti i gjimnazit “Partizani” ende nuk janë vënë në funksion.
Bakiu u ndal edhe tek regjistrimet e nxënësve në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
“Të dhënat e marra deri sot tregojnë një panoramë mjaft të zymtë pothuaj në gjithë Shqipërinë. Le të flasim më konkretisht. Sipas të dhënave të marra deri në datën 8 shtator 2023, rezultonte se “27 mijë nxënës , të regjistruar në klasat e dhjeta dhe krahasuar me një vit rezulton të jenë i 1000 nxënës më pak. Shifrat zyrtare pitet të bëhen publike sot, por deri më tani rezulton se do te mungojnë 33 klasa me 30 nxënës ose dy shkolla me 500 nxënës në arsimin mesëm të lartë. Situata është alarmante në bashki të vogla e të mëdha të Shqipërisë. Sipas raportimeve në Bashkinë Kukës, këtë vit shkollor do të ketë 225 nxënës më pak në të gjithë arsimin 9-vjeçar ose gati 8 klasa që nuk do të hapen më. Në bashkinë e Librazhdit për vitin shkollor 2023-2024 do të ulen 421 nxënës më pak se viti paraardhës. Në Korçë raportohet për 5 klasa të para më pak të hapura në qytet, situatë është e njëjtë në Vlorë e në shumë rrethe të tjera”, tha ajo.
Sipas Bakiut, problematikë tjetër është edhe rritja e barrës së prindërve për kostot e shkollimit të nxënësve.
“Ndërsa flitet për tekste falas e kushte më të mira për shkollim, e vërteta është krejt ndryshe. Ndërsa në arsimin fillor dhe pjesërisht në atë 9-vjeçar librat jepen falas ose dhurohen nga vitet paraardhëse, në arsimin e mesëm kosto e teksteve shkollore shkon nga 100-140 euro, pa mjetet ndihmëse. Duhet të sjellim në kujtesën e qeverisë dhe publikut se gati 40% e popullsisë në vendin tonë marrin pagën minimale prej 40 mijë lekësh të reja”, tha Bakiu.
“Partia Demokratike ka tërhequr vëmendjen dhe ka dhënë propozimet e saj konkrete, që arsimi të vihet në shinat e duhura. Ne kërkojmë sërish që qeveria të reflektojë dhe të marrë në konsideratë propozimet tona konkrete siç janë rritja e financimit të arsimit, qe duhet të jetë jo më pak se 5% në raport me PPB; rritja e pagave të mësuesve në nivelet e premtuar dhe të barasvlefshme me rajonin e më gjerë; krijimi i kushteve më të mira të punës për mësuesit dhe kushteve për nxënësit; rritja e sigurisë së shkollave, krijimi i një infrastrukture (ndërtesa shkollore, laboratorë, mjedise rekreative etj), për të siguruar një proces mësimor edukativ në nivelet bashkëkohore”, tha Bakiu.




