Shqipëria synon përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së

Shqipëria synon përshpejtimin e përafrimit të legjislacionit me BE-në në kuadër të procsit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Në drejtimin e zëvendëskryetarit, Blendi Klosi, u mblodh ditën e sotme Komisioni për Politikën e Jashtme. Komisioni mori në shqyrtim Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.116/2014 “Për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë”.

Të ftuar për të prezantuar këtë projektligj ishin Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Endrit Yzeiraj dhe Ardita Mele, zv. drejtoreshë e Akreditimit.

Zëvendësministri i Financave, Yzeiraj, gjatë fjalës së tij deklaroi se, “projektligji në fjalë synon përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian në përputhje me masën prioritare të pikës qëllimi parësor integrimi europian ku përcaktohet se Shqipëria synon zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”.

Relatori i çështjes, Lavdrim Krashi, nënvizoi se, “arsyeja përse vjen ky projektligj është përmirësimi pasi nuk ka përputhshmëri me BE-në”.

Sipas tij, kërkesë e gjithë shqiptarëve është që integrimi i Shqipërisë në BE të jetë një proces sa më i shpejtë.

“Përmirësimi i këtij ligji ekzistues është detyrë e jona dhe përafrimi me legjislacionin e BE do të ofrojë mundësinë që të kemi sistem të vlerësimit të konformitetit në procesin e akreditimit, duke siguruar paanshmëri, konkurrencë të ndershme dhe luftimin e konfliktit të interesit sa i përket standardeve për të cilat të gjithë punojmë”, deklaroi Krashi.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligji në fjalë.