Tekniku i Kosovës: Të përballojmë presionin ndaj Zvicrës, problemet i kemi zgjidhur

Kosova do të përballet me Zvicrën të shtunën mbrëma në “Fadil Vokrri”, në sfidën që do shkojë për llogari të kualifikueseve të Euro 2024.

Trajneri i Dardanëve, Primoz Gliha iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, në konferencën për shtyp.

Si ka punuar skuadra gjatë këtyre 5 ditëve në dispozicionin tuaj?

Kemi punuar mirë gjatë këtyre 5 ditëve dhe jemi munduar të gjejmë zgjidhjet e duhura për t’u përballur denjësisht me kundërshtarin. Kemi pasur disa probleme, por kemi punuar për të gjetur zgjidhjet e duhura.

Sa e vështirë ka qenë të përgatisësh këtë ndeshje nën presionin e rezultatit, por edhe forcës së kundërshtarit?

Nëse dikush kërkon të gjejë justifikime, atëherë mund të fshihet pas presionit, por ne jemi profesionistë dhe jemi të mësuar të punojmë edhe në situata të tilla. Pavarësisht presionit, ne kemi punuar mirë dhe do të provojmë të bëjmë mirë. Në futboll duhet të mendosh gjithmonë pozitivisht dhe të hysh në fushë për rezultate pozitive.

Si ju janë dukur Korenica dhe lojtarë të tjerë të rinj në grumbullim?

Kemi djem të rinj, shumë të talentuar, që kanë punuar shumë mirë, por ndaj Zvicrës edhe presioni do të jetë shumë i madh. Duam t’i përfshijmë gradualisht në ekip, që shumë shpejt të shndërrohen në pika të rëndësishme.