"Nuk di nëse do rikthehem tek Kombëtarja e Italisë", Balotelli: Kampionati turk më lart se Serie A

Gjatë një interviste të dhënë për kanalin “Controcalcio”, Mario Balotelli foli troç për nivelin aktual të futbollit italian, duke e krahasuar atë me kampionatin turk. 

Sigurisht që askujt në Itali nuk ka ardhur mirë për këtë, por Baloteli si gjithnjë edhe këtë herë nuk mund të dilte nga karakteri i tij.

“Vitin e kaluar kam parë disa ndeshje të Serisë A dhe jo për keqdashje, por i krahasova me ndeshjet që kemi luajtur në Turqi. Niveli sot në Turqi është pothuajse më i lartë se Seria A. Seria A nuk është një kampionat i dobët, por niveli i kampionateve të tjera po rritet”, tha ai.

Baloteli ka folur dhe për një rikthim të mundshëm në kombëtaren italiane, duke e përjashtuar në një farë mënyre. “Në kombëtare duhet të luajë kush është më mirë. Nuk e di nëse do ta pranoja një ftesë për t’u kthyer te Italia. Kam përjetuar momente shumë të bukura, por së fundi jo”, deklaroi ai.