Përbërja e KZAZ për zgjedhjet në Kukës, Çefa zgjidhet relator i ankesës së PD-së
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve hodhi këtë të mërkurë shortin për caktimin e relatorit, që do të shqyrtojë kërkesën ankimore të Partisë Demokratike mbi shpërndarjen e anëtarëve në Komisionin Zonal të Administrimit Zgjedhor në Kukës, në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie të Kukësit, që do të mbahen në 24 shtator.
Pas hedhjes së shortit, në goglën e tërhequr rezultoi emri i Ervis Çefës, i cili do të relatojë kërkesën ankimore numër 93, të depozituar nga Partia Demokratike e Shqipërisë me objekt “Ndryshimin e vendimit të datës 19.08.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për caktimin e partive politike që do të propozojnë anëtarët dhe sekretarin e Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor nr. 11, për zgjedhjet e pjesshme vendore për Kryetarin e Bashkisë Kukës të datës 24 Shtator 2023”.
Partia Demokratike e Shqipërisë dërgoi në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KQZ, për t’i dhënë Partisë së Lirisë të drejtën për të zgjedhur dy anëtarë të KZAZ, si partia më e madhe e opozitës, sipas rezultatit të 14 majit.
Kolegji Zgjedhor vendosi që ta rikthejë çështjen në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve. KAS më herët nuk e mori në shqyrtim këtë ankesë të PD. Kësisoj tashmë, pas procedurave paraprake, do të jetë Elvis Çefa, relator i çështjes që do të marrë në shqyrtim ankimimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Sipas selisë blu, KQZ, në llogarinë e ndarjeve të përbërjes së KZAZ-ve duhet të marrë në konsideratë rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve të fundit parlamentare.


