Ndryshimet në qeveri, Rama i dërgon presidentit emrat e ministrave të rinj

Kryeministri Edi Rama ka dërguar pasditen e kësaj të mërkure në presidencë emrat e ministrave të rinj për t’i dekretuar. Dekretimi pritet të bëhet pas së shtunës për shkak se presidenti Bajram Begaj ndodhet për një vizitë zyrtare në Kazakistan.

Dekretimi i rëndësishëm është ai Ministrit të Jashtëm, pasi ka një afat kohor. Ai më 14 shtator duhet të jetë në New York. Ai duhet të jetë dekretuar, duhet të jetë votuar në parlament dhe duhet betuar në mënyrë që më pas në 14 shtator të shkojë në New York për të drejtuar një mbledhje të Këshillit të Sigurimit ku Shqipëria ka presidencën dhe ishte parashikuar të drejtohej nga Olta Xhaçka.

Ajo çfarë e bën pak më të paqartë situatën është ajo se Presidenti tashmë është nisur në një vizitë zyrtare 3 ditore në Kazakistan dhe kthehet ditën e shtunë.

Nëse emrat dërgohen sot nga qeveria, mbetet që ata të dekretohen pas të shtunës dhe më pas të kemi një seancë plenare të posaçme në mënyrë që qeveria e re të jetë në fuqi dhe ministri i jashtëm të mund të shkojë në New York.