Ronaldo mund të luajë në Iran, Teherani heq urdhërin e ndalimit të udhëtimit për klubet saudite
Klubet e Arabisë Saudite do të lejohen të udhëtojnë drejt Iranit, për të zhvilluar ndeshjet e tyre, në Champions Ligën aziatike. Dakordësia e arritur mes Teheranit dhe Riadit, shihet si një lëvizje historike mes dy vendeve, pas ndërprejeve të marrëdhënieve diplomatike në vitin 2016.
Irani dhe Arabia Saudite arrijnë një marrëveshje, e cila është cilësuar si historike, pasi Teherani do të lejojë klubet saudite të udhëtojnë drejt Iranit, për të zhvilluar ndeshjet me skuadrat iraniane, për llogari të Champions Ligës aziatike.
Teherani dhe Riadi kanë arritur një marrëveshje "novatore" për të rifilluar ndeshjet e futbollit brenda dhe jashtë mes skuadrave të klubeve, pas 7 vitesh garimi në vende neutrale, bëri të ditur Konfederata Aziatike e Futbollit.
Lëvizja e federatave të futbollit të dy vendeve do të kontribuonte në “forcimin e lidhjeve më të ngushta midis komuniteteve të tyre përkatëse të futbollit, duke lejuar klubet të organizojnë ndeshje në terrenin e tyre në shtëpi dhe të vizitojnë stadiumet përkatëse jashtë vendit, duke krijuar një përvojë më tërheqëse dhe emocionuese për tifozët dhe lojtarët, thuhej në deklaratën e institucionit më të lartë që përfaqëson futbollin në Azi.
Klubet e ligës së parë saudite do të udhëtojnë në Iran për të luajtur në ndeshjet e Ligës së Kampionëve të Azisë.
Kështu, Al Naseri i Cristiano Ronaldos do të nisë fushatën e tyre në Ligën e Kampionëve Aziatik në stadiumin Azadi të Teheranit më 19 shtator kundër Persepolisit, ndërsa Al-Hilal dhe Al-Ittihad do të udhëtojnë gjithashtu në Iran gjatë fazës së grupeve të kompeticionit.
Ndeshjet ishin luajtur në territor neutral që nga viti 2016, sepse marrëdhëniet e tensionuara diplomatike midis dy vendeve nënkuptonin që shtetasit sauditë nuk lejoheshin të udhëtonin në Iran.
Arabia Saudite dhe Irani ndërprenë marrëdhëniet, pasi misionet diplomatike saudite në Iran u sulmuan gjatë protestave për ekzekutimin nga Riadi të figurës shiite Nimr al-Nimr.
Muajin e kaluar, kryediplomati i Iranit predikoi unitet dhe dialog gjatë vizitës së tij të parë në Arabinë Saudite që nga shpallja e afrimit të befasishëm, duke thënë se lidhjet dypalëshe po përparonin në drejtimin e duhur.
