Plotësohet Kombëtarja por mesfushori qëndron në hotel. Sylvinho eviton ngarkesën për disa futbollistë

Në kompleksin stërvitor pranë ambjenteve të FSHF, Kombëtarja ka nisur punën me ritëm të plotë për sfidat me Çekinë dhe Poloninë. Me grupin gjatë orëve të fundut janë bashkuar Ylber Ramadani, Arlind Ajeti, Berat Gjimshiti, Arbnor Muja, Ernest Muçi, Elseid Hysaj dhe Elhan Kastrati të cilët kanë zhvilluar stërvitje të diferencuar mes palestrës dhe ushtrimeve fizike në fushë pa top pasi vijnë nga ndeshjet e së fundjavës.
Pjesa tjetër e lojtarëve përveç ushtrimeve fizike, është angazhuar në një ndeshje kontrolli së bashku me lojtarët e Kombëtares U-19, që është e grumbulluar në Tiranë duke u përgatitur për dy miqësoret ndaj Azerbajxhanit.
Vetëm mesfushori Qazim Laçi është lënë pushim sot për shkak të gjendjes gripale, me lojtarin që po mbahet në monitorim të vazhdueshëm nga stafi mjekësor kuqezi. Kombëtarja do të vijojë përgatitjet edhe të martën me një tjetër seancë stërvitore dhe mëngjesin e të mërkurës do të udhëtojë drejt Pragës për duelin e parë zyrtar të shtatorit.
Shqipëria do të përballet me Republikën Çeke më 7 shtator, ora 20:45, me ndeshjen që luhet në stadiumin “Fortuna Arena” dhe është nga më të rëndësishmet e kësaj fushate kualifikuese.
