Kombëtarja, Cikalleshi dhe Bajrami të karikuar për dy sfidat vendimtare
Sokol Cikalleshi dhe Nedim Bajrami ishin dy lojtarët e ditës së parë në konferencën e shtypit të Kombëtares Shqiptare. Në prag të ndeshjes me Reublikën Çeke ata folën për këtë moment shumë delikat ku skuadra kuqezi kërkon të marrë maksimumin.
Sokol Cikalleshi:
Mendoj se ky grumbullim është nga më të rëndësishmet në këto vite. Janë dy ndeshje që duhet të angazhohemi maksimalisht. Është një kënaqësi pasi e kam përjetuar një herë Europianin e nëse do luaja sërish do ishte karriera me Kombëtaren në një nivel tjetër. Ne lojtarët që kanë shkuar një herë në Europian në 2016 duhet të mundohemi të bëjmë diçka më shumë edhe jashtë fushe, për t’i ndihmuar dhe lojtarët e tjerë.
Sulmuesit e kanë nisur me gola. Po marrim frytet e punës së bërë në fazat përgatitore. Për të pasur sukses duhet të funksionojnë të gjithë repartet. Do bëjmë maksimumin që në këto dy ndeshje si sulmuesit dhe gjithë lojtarët të japin më të mirën, për të arritur fitoren në këto dy ndeshje. Vetëm duke dhënë 100% tonë do të arrijmë maksimumin.
Ndihem mirë në Turqi. E njoh më mirë kampionatin. Punoj çdo ditë me shumë seriozitet. Nuk mund të nxitohem se do jetë vitit im, pasi sapo ka nisur sezoni. Për të mbajtur vazhdimësinë është akoma dhe më e vështirë. Me seriozitetin e përditshmërisë, mund të vazhdojmë me të njëjtën këmbë. Nuk mund të kënaqem me një fillim të mbarë. E rëndësishme është të vazhdoj të punoj çdo ditë.
Këto dy ndeshje janë decizive. Çekia ka ekip shumë të mirë dhe ka eksperiencë në Europë. E thash dhe më parë që fokusimi duhet të jetë maksimum. Në ndeshjet e kaluara duhet të bënim detyrat e shtëpisë. Kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve për të realizuar ëndrrën që ne kemi. Nga ana tjetër ne jemi gati, sulmuesit kanë shënuar, mesfushorit dhe mbrojtësit kanë luajtur. Jemi në një moment shumë të mirë, por ndeshja dhe fusha do e tregojë gjithçka. Kombëtares nuk do i mungojë shpirti i garës dhe angazhimi në fushë, këtë ua premtoj.
Goli i shënuar me Çekinë ka qenë nga më të bukurit në karrierë e nëse do shënoja sërish do ishte diçka shumë e bukur për mua. I kam shënuar dhe Polonisë, por nuk vlente se u mundëm në atë ndeshje. Do preferoja nëse unë do shënoja apo dikush tjetër të shënonte qoftë dhe gjysmë goli, do isha i kënaqur të marrim 3 pikët. Janë shumë pak ditë për t’u përgatitur, por unë mendoj se lojtarin e bën klubi dhe përgatitja atje. Të gjithë lojtarët janë të gatshëm. E dimë çfarë kërkon trajneri. Kemi një stil loje që e kemi kuptuar. Edhe pse kemi pak ditë e dimë çfarë kërkon trajneri dhe na mbetet vetëm ta aplikojmë në fushë.
Ne nuk jemi Kombëtare që shkojmë në Europian çdo edicion. Nuk ka më bukur që të jemi kaq afër. Duke qenë se kemi objektivin tonë ne do mendojmë vetëm ndeshjen me Çekinë ku do të synojmë që të marrim 3 pikët, nëse do e arrijmë do mendojmë për ndeshjet e ardhshme.
Nedim Bajrami:
Me Çekinë kemi një ndeshje shumë të vështirë, është një kundërshtar fizikisht i fortë. Po e përgatisim ndeshjen shumë mirë, jemi të gjithë gati dhe do japim maksimumin.
Po me Asllanin dhe Ardian flasim çdo ditë. Jam i lumtur që Berisha ka gjetur skuadër dhe që luajti shumë mirë, por tani rëndësi ka Shqipëria dhe që të luajmë shumë mirë. Nuk besoj se kemi presion, na motivon më shumë dhe jemi të lumtur që vijnë tifozët në stadium, na ndihmojnë.
Besoj se të gjithë duhet të jemi në formë, nuk ka një lojtar apo dy që e ndryshojnë ndeshjen. Të gjithë duhet të jemi në formë, të përgatitemi sa më mirë e të luajmë me shpirt.
Nuk kam folur ende me trajnerin, por besoj se të gjithë jemi gati, të përgatisim ndeshjen sa më mirë dhe të japim maksimumin, pasi e dimë që Çekia është një kundërshtar shumë i fortë.
