Incineratorët, Vangjeli: Klodian Zoto, një pupac me rrogë të lartë. Paratë e vjedhura kërkojani Ramës
Partia Demokratike e grupimit të Rithemelimit ka reaguar këtë të shtunë sërish për atë që ajo e cilëson si mega-aferën korruptive me incineratorët.
Nga foltorja e selisë blu, zëdhënësja për “Antikorrupsionin” në PD, Genta Vangjeli deklaroi se Klodian Zoto, është një pupac me rrogë të lartë.
Ajo tha se shqiptarët paratë e vjedhura duhet t’ia kërkojnë Edi Ramës, si njeriu njeriu që ka pushtet mbi ҫdo institucion të këtij vendi.
DEKLARATA E GENTA VANGJELIT
Integrated Energy, kompania famëkeqe e inceneratorëve, ka përfituar 244 pagesa prej 16 institucioneve shtetërore, qendrore dhe lokale, nga data 4 Prill 2018 deri në 23 Gusht 2023, në vlerën totale prej 65.9 miliard Lekësh.
Këto pagesa janë bërë për depozitim mbetjesh, një shërbim që ndërkohë u takon bashkive përkatëse.
Konkretisht pagatorët e Klodian Zotos janë:
Bashkia Vore – 11 transaksione
Bashkia Kavaja – 22 transaksione
Bashkia Tirane -153 transaksione
Agjencia e Mbrojtjes se Konsumatorit – 3 transaksione
Ministria e Kultures- 13 transaksione
Gjykata e larte – 4 transaksione
Bashkia Durres – 2 transaksione
Qendra e Formimit Profesional Nr.1 Tiranë
Aparati i Drejtorisë së Policisë së Shtetit
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave
INUK
Drejtoria e informacionit te Klasifikuar
Aparati Qendror INSTAT
Spitali Distrofik
Drejt.Pergj.Tatimeve
Kompania e Zotos është gjithashtu pjesë në tenderin e 2020 për ndërtimin e landfillit të Vlorës, me vlerë 9.8 milion euro i financuar me ndërmjetësimin e Agjencisë Gjermane për Zhvillim.
Ky projekt ka mbetur pezull pasi kompania e Klodian Zotos Integrated Technology Services është nën sekuestro preventive me urdhër të SPAK.
Kur dëgjoni emrin e Klodian Zotos që përsëritet…Klodian Zoto në Inceneratorin e Tiranës, Klodian Zoto në Inc e Elbasanit, Klodian Zoto në Inc e Fierit, Klodian Zoto në landfillin e Vlorës, Klodian Zoto në Bashkinë Durrës, Klodian Zoto në Bashkinë Vorë, Klodian Zoto në Bashkinë Kavajë, në INUK, Gjykatë të lartë, Tatime, Spitale etj… Pyeteni veten: cfarë do të thotë kjo?
Kjo do të thotë që vetëm njeriu më i fuqishëm, që ka pushtet mbi ҫdo institucion të këtij vendi, mund të “bekojë” shtrirjen e këtij shërbimi në të gjitha qytetet, institucionet, përfshirë këtu dhe ato të drejtësisë.
Ky njeri quhet Edi Rama. Paratë e vjedhura kërkojani atij. Klodian Zoto është vetëm një pupac me rrogë të lartë.




