Rama në shkollën e Hoteleri-Turizmit: 80 % e studentëve punësohen që në bankat e shkollës
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot nga afër shkollën e rikonstruktuar të Hoteleri-Turizmit në Tiranë, e cila ka nisur certifikimin nga Shkolla e Lausanne, më e mira në botë për hotelerinë.
“Kjo shkollë do të mbështesë nevojat e sektorit Hoteleri-Turizëm në një kohë kur arsimi profesional po preferohet përherë e më shumë nga të rinjtë, ndërsa 80 % e studentëve punësohen që në bankat e shkollës me pagesa konkurruese për tregun. Vëmendja për përmirësimin e kushteve dhe cilësisë do të jetë në fokusin tonë kryesor, sidomos sot kur Shqipëria, po përjeton një fluks të jashtëzakonshëm turistësh”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “takova këtë verë disa operatorë në zonën e Dhërmiut edhe ata thoshin që nuk është më pyetja sa është paga, por sa është aftësia dhe kapaciteti profesional i atyre që marrim sepse paga është absolutisht shumë e lartë”.
Duke iu drejtuar të rinjve Rama tha se ju duhet t’i shërbeni vendit dhe duhet ta bëni mirë llogarinë para se të ikni nga vendi sepse llogaria nuk bëhet thjesht sa të japin atje, sa të japin këtu, por çfarë të ngelet atje në fund të muajit dhe sa të ngelet këtu. Natyrisht me pagat 400 mijë lekë patjetër atje ngelet më shumë se këtu, por me pagat 900 mijë lekë, 1 milion e 1 milion e ca kur vjen puna te menaxherë, shefa sallash, apo shërbim që janë më lart atëherë duhet bërë llogaria sa është taksa aty, sa këtu, sa është qiraja atje, sa kushton këtu kur rri me prindërit, sa është transporti atje e këtu, sigurimet shëndetësore e shoqërore atje e sa janë këtu. A ka njeri atje që ka kohë të ulet me pi kafe apo bëhet më mirë muhabet atje apo këtu. Edhe financiarisht edhe gjendja e humorit ka filluar të dalë barazim, por do të dalë edhe më mirë pas ca vitesh, në turizëm sidomos”.
Drejtoresha e shkollës Hoteleri-Turizëm, Flutura Vaqarri tha se “është futur edhe anglishtja teknike për termat e profesionit përveç anglishtes së përgjithshme, që do të thotë që përveç komunikimit në gjuhën shqipe të komunikojnë edhe në një gjuhë të huaj shumë mirë në terma profesionalë. Shkolla ofron edhe italisht e gjermanisht”.
“Gjatë gjithë vitit nxënësit bëjnë praktika në biznese dhe falë praktikave edhe punësohen. Ka kërkesa të jashtëzakonshme nga tregu i punës dhe pagesat janë të nivelit shumë të lartë për atë që janë punonjës të kualifkuar”, tha Vaqarri.
Vaqarri tha se kemi edhe një histori suksesi, ish-nxënësit, pasi kanë kontribuar në tregun e punës për 10-15 vite janë kthyer për të dhënë mësim.
Në shkallë vendi janë 12 shkolla të mesme profesionale që ofrojnë drejtimin Hoteleri Turizëm, të shpërndara në te gjitha rajonet e vendit.
