Tabaku: Koncesionet në Shëndetësi janë 30 % e buxhetit, duhet mbajtur përgjegjësi ligjore

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida tabaku reagoi sot ndaj deklaratave të Kryeministrit Edi Rama lidhur me procesin e sterilizimit që ka garantuar një standard krejt të ri sigurie për ndërhyrjet operatore.

Në reagimin e saj në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se njëqind herë pas të kthehej, njëqind herë do ta denonconte.

“Sepse këtu bëhet fjalë për një filozofi dhe një metodë pune. Bëhet fjalë për individë që ishin pa asnjë kapital, pa asnjë aset që erdhën me duar në xhepa, që kishin lidhje me qeveritarë. Që janë faktuar që i kanë bërë vetë dokumentet e tenderit, që në mënyrë abuzive kanë ngjitur një shtet në këmbë dhe nuk po bëj ndarje se janë njësoj si sterilizimi dhe inceneratorët”, u shpreh Tabaku.

Ajo vijoi duke thënë se ata e kanë gërryer buxhetin e shtetit.

“Koncesionet në shëndetësi, përfshirë dhe sterilizimin janë 30% e buxhetit të shëndetësisë dhe t’i të heqësh me një të prerë të sëpatës, 30% të buxhetit nuk është gjë e vogël. Edhe këtu duhet mbajtur si përgjegjësia ligjore dhe përgjegjësia politike”, tha Tabaku.