Siguria rrugore, policia: 28 të arrestuar apo proceduar, 648 gjoba në një javë në Tiranë

Policia e Rrugore e Tiranës njofton se gjatë javës së shkuar janë arrestuar ose proceduar në gjendje të lirë, 28 drejtues mjetesh për drejtim automjeti, në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, si dhe për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Sipas njoftimit të Policisë Rrugore të Tiranës, gjatë javës së shkuar, janë ndëshkuar me masë administrative 648 drejtues mjetesh, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjeteve.

“432 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosdhënie përparësie këmbësorëve, në vija të bardha. 557 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mos-vendosje të rripit të sigurimit. Janë vendosur 660 masa administrative, për mos-vendosje të kaskës mbrojtëse, nga drejtuesit e motomjeteve.

Janë vendosur 78 masa administrative, për mospërdorimin e monopatinave në vendet e duhura. Janë vendosur 138 masa administrative, për këmbësorët që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

Janë bllokuar 15 automjete, për detyrime të pashlyera, mungesë dokumentacioni dhe për verifikime, nga Seksioni i Trafiqeve të Paligjshme në Policinë e Tiranës”, njofton Policia Rrugore e Tiranës.