Zjarri në Laç, Balla: Një 41-vjeçar është arrestuar, 50 efektivë dhe 1 helikopter për shuarjen e flakëve

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar për zjarrin e madh në Laç. Emergjenat Civile, Forcat e Armatosura dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë janë nisur për në Laç, ndërsa një 41 vjeçar është arrestuar si autor i zjarrvënies.

Në zonën ku ka rënë zjarri ka edhe shpërthime granadash që e bëjnë të vështirë ndërhyrjen e zjarrfikësve.

50 efektivë të Forcave të Armatosura, helikopteri Cugar dhe 2 mjete zjarrëfikëse janë mobilizuar për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit masiv në bashkinë e Kurbinit. Situata është sfiduese për shkak të terrenit të vështirë, ku zjarri është përhapur shpejtësisht.

Postimi i Ministrit Balla:

Zjarret në vend Në Bashkinë Kurbin, në masivin me pisha pranë qytetit të Laçit, kemi një ndër situatat më të vështira të krijuar nga zjarret gjatë këtij viti. Ndërsa forcat zjarrëfikëse të gjitha bashkive pranë Kurbinit janë urdhëruar të ndërhynë, edhe Emergiencat Civile, Forcat e Armatosura dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë janë nisur për në Laç.

Policia e Shtetit ka ndalur në flagrancë njërin nga autorët e kësaj zjarrivënie (shtetasi V.H. 41 vjeç).