Balla: Zero tolerancë për këdo që nuk i bindet urdhërit të policit, propozon ndryshim të Kodit Penal edhe për mjekët
Ministri i brendshëm Taulant Balla ka kërkuar dyfishimin e masës së dënimit me burg për këdo që do të prekë apo kërcënojë policët dhe mjekët. Madje në ndryshimet e propozuara hiqet mundësia që agresohet të ndëshkohen vetëm me gjobë. Drafti u propozua një javë pas goditjes në qafë të efektivit në Vlorë dhe në kujtim të 32 vjetorit të vrasjes së oficerit të RENEA-s Arben Ujka.
Në nisje të parlamentit të ri ministri i Brendshëm Taulant balla do të kërkojë ashpërsimin e dënimeve për të gjithë ata që do të prekin forcat e rendit.
Sipas draftit të ri në nenin 237 të kodit penal këto raste parashikohen me gjobë deri në 3 vite burgim, por Balla kërkon që masa ndëshkimore të shkojë vetëm për burgim deri në 5 vite.
Edhe në rastin e kanosjes sipas nenit 237 do të hiqet gjoba do të kërkohet qëndrimi në qeli deri në 5 vite.
“Kush nuk i bindet urdhrit/thirrjes së ligjshme të policit, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë të qartë që toleranca do të jetë zero. Kuadri ligjor është aty në Kodin Penal, me ndryshimet që kam mbështetur vetë në Kuvend në vitin 2019, dhe në ligjin për Policinë Shtetit. Mosbindja ndaj urdhrave të ligjshme të punonjësit të policisë përbën kundërvajtje penale, e cila mund të dënohet me burgim gjer në tre muaj”, tha ai.
Për të ashpërsuar edhe më tej qëndrimin propozohet që të akuzuarit të arrestohen me njëherë e po ashtu të trajtohen rastet e gjykimit, duke i konsideruar në flagrancë.
Të njëjtat masa parashikohet të aplikohen si në rastin kur cenohen blutë, por edhe mjekët.
Ndryshimet në ligj Balla i bëri të ditur në vizitën e familjes Ujka. më 22 Gusht 1993, oficeri i policisë së repartit special “RENEA” Arben Ujka, humbi jetën në krye të detyrës, gjatë një aksioni për kapjen e një krimineli në fshatin Musha të Rrethit Shkodër
Ndryshimet në ligj Balla i paralajmëroi edhe në Vlorë ku vizitoi efektivin Redin Caushaj, i cili ndërhyri për të shuar një sherr por që u qëllua me thikë në qafë.
