Sot takimi i Ballkanit në Athinë/ Mitsotakis nuk e fton, Rama ikën me Kurtin në Slloveni të hënën e ardhshme
Kryeministri Edi Rama për shkak të qëndrimit ndaj çështjes “Beleri”, është “penalizuar” nga Athina zyrtare duke mos e bërë pjesë të darkës së sotme të liderave të Ballkanit perendimor dhe vendeve anëtare të BE-së të rajonit.
Ata do të jenë në mbrëmje në Athinë në krah të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis. Kryeministri Edi Rama nuk u ftua në takim! Fillimisht nuk u bë e ditur arsyeja e refuzimt nga Greqia për të ftuar Kryeministrin shqiptar Edi Rama, por qeveria greke përmes zëdhënësit e tij dje bëri të qartë se ka lidhje me arrestimin e Fredi Belerit dhe reagimin e kreut të qeverisë shqiptare për protestën e kryebashkiakut të Athinës në Himarë ku kërkonin lirimin e Belerit.

Rama u kërkoi protestuesve, mes të cilëve ishin edhe kryebashkiaku i Athinës dhe Selanikut, që t’i binden ligjit dhe se nuk mund të kundërshtojnë vendimet e një gjykate të një shteti demokratik.
Ndaj Greqia do të mbledhë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe vendet anëtare të BE-së në një darkë informale, në orën 20:15, pas ftesës së kryeministrit Kyriakos Mitsotakis me rastin e 20- vjetorit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor dhe “Deklaratës së Selanikut”, por nuk do të jetë Edi Rama.
Në darkën informale, Greqia ftoi Shqipërinë në rang presidencial dhe nuk kishte një ftesë të veçantë për kryeministrin Edi Rama, ku në lidhje me këtë reagoi dhe zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis.
Ai shprehet se ftesa e munguar Ramën në darkën e thirrur nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis vjen si pasojë e qëndrimeve për çështjen e kryebashkiakut të Himarës, Fredi Belerit i cili ndodhet në burg si i akuzuar nga SPAK për blerje votash.

Zëdhënësi i qeverisë thekson se Shqipëria duhet të respektojë rregullat bazë të shtetit ligjor dhe se nga ana e Greqisë nuk do të ketë asnjë hap pas.
“Qeveria greke me një sërë ndërhyrjesh të kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, është e koordinuar me shtetin e së drejtës, jo vetëm pranë Fredi Belerit një kryetar bashkie i zgjedhur ligjërisht, i cili duhet të betohet. Shqipëria duhet të respektojë rregullat bazë të shtetit ligjor dhe ne nuk do të bëjmë asnjë hap pas për këtë”, deklaroi ai.
Në darkën e sotme sipas ‘Protothemës’, kanë konfirmuar pjesëmarrjen Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Presidenti i Malit të Zi,Jakov Milatovic, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borgiana Christo, ndërsa lideri i Sllovenisë nuk ka mundur të përgjigjet pozitivisht.
Sipas medias greke, kjo drekë ka si qëllim që kryeministri grek të riafirmojë mbështetjen e Greqisë për perspektivën evropiane të rajonit, e cila bëhet edhe më e rëndësishme në mjedisin e ri të sfidave të krijuara nga pushtimi rus i Ukrainës.
Shqipëria, e ftuar në nivel presidenti, nuk do të përfaqësohet pasi Presidenti Begaj ka një axhendë tjetër.
“Presidenti Begaj në përgjigjen e dërguar, pasi vlerësoi vëmendjen që Kryeministri grek Mitsotakis i kushton zhvillimeve të lidhura me sigurinë e Evropës, shprehu gjithashtu keqardhjen për pamundësinë e pjesëmarrjes për shkak të një agjende të përcaktuar më herët”, thuhet në përgjigjen e presidencës.
RAMA-KURTI, BASHKË NË “FORUMIN E BLEDIT” NË SLLOVENI!
Edi Rama dhe Albin Kurti kanë konfirmuar praninë e tyre si folës në panelet e forumit dyditor të Sllovenisë, që zhvillohet në qytezën turistike pranë liqenit të Bledit në fund të këtij muaji.

Ky forum do të jetë një mundësi për një takim të munguar kohët e fundit mes Kryeministrit Rama dhe homologut te tij kosovar Albin Kurti. Më 6 korrik, kur Rama zbriti në Prishtinë si pjesë e turit të tij ballkanik kushtuar përgatitjeve për takimin e Tetorit në Tiranë në kuadër të Procesit të Berlinit, ai u prit vetëm nga Presidentja Osmani dhe nga kryeparlamentariKonjufca. Kurti kushtëzoi asokohe takimin me Kryeministrin Edi Rama me mbledhjen e përbashkët të dy qeverive. Kurti e konsideroi si të paarsyeshëm vendimin e Kryeministrit shqiptar për të anuluar mbledhjen e dy qeverive që ishte parashikuar të mbahej më 14 Qershor në Gjakovë.
Ai u shpreh se do të mirëpriste Ramën që të zhvillonin mbledhjen ndërqeveritare ku të firmosnin 13 marrëveshjet e përbashkëta, për të cilat ishin dakordësuar më parë. Më 17 korrik Kurti e refuzoi për herë të dytë takimin me Ramën, teksa Kryeministri mblodhi në një takim informal krerët e Ballkanit Perëndimor në Tiranë.
Kurti preferoi atë ditë të shfaqej në një simpozum të një shoqate jo qeveritare në ishullin e Kretës.

Qejfmbetjet e Kryeministrit kosovar ndërlidhen me faktin se Kryeministri Rama adresoi kritika publike ndaj qeverisë në Prishtinë për mosmenaxhimin si duhet të situatës me serbët në veri pas zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat serbe që sollën ndërprerjen e dialogut me Beogradin dhe më pas sanksione nga BE e SHBA.
Po ashtu Kurti u gjend i befasuar nga drafti për themelimin e bashkësisë së komunave serbe që Rama e dërgoi në Berlin e Paris pa e konsultuar atë paraprakisht. Kryeministri kosovar ka ironizuar edhe iniciativën rajonale të Ballkanit të Hapur në të cilën Rama ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Vuçiq e Kovaçevski për projekte të përbashkëta kryesisht ekonomike.
Kurti ka realizuar kohët e fundit disa takime në selinë e qeverisë kosovare në një mjedis të hapur që e ka emërtuar publikisht si Ballkoni i Hapur në një karshillëk të hapur me iniciativën rajonale që ka për iniciator edhe Kryeministrin shqiptar. Në forumin strategjik të Bled-it do të marrin pjesë, krahas Kryeministrave Rama e Kurti, edhe Presidenti serb Vuçiq, Kryeministri maqedonas Kovaçevski si dhe Presidenti i Këshillit Evropian, CharlesMichel. Aty do të flitet krahas bashkëpunimit rajonal edhe për çështjet e sigurisë dhe anëtarësimin në Bashkimin Eeuropian.





