Ballkani kërkon fazën e grupeve, Daja dhe skuadra besojnë te misioni anti-BATE

Ballkani kundër BATE Borisov mund të bëjë hapin e madh për të dytin sezon rresht pasi mund të sigurojë biletën e fazës së grupeve të UEFA Conference League.

Tekniku tiranas, Ilir Daja është njeriu i momentit pasi ka arrtur të bëjë një rrugëtim shumë të suksesshëm në Suharekë, duke e ngjitur klubin portokalli në majën e Kosovës me dy tituj kampion, një fazë grupesh në Europë dhe këtë sezon e ka kualifikuar deri në play-off.

Ndeshja e parë do të zhvillohet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa, ajo e kthimit një javë më pas në Hungari. Kapiteni Armend Thaçi deklaron Ballkani i ka të gjitha mundësitë për ta kaluar BATE Borisov, një kundërshtar dukshëm më i dobët se ai i viteve të kaluara.

“BATE është skuadër shumë e fortë, pasi vitet e kaluara ka luajtur në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës. Sigurisht, që nuk do të jetë lehtë, por ne jemi të gatshëm që të mos kursehemi për ta përsëritur suksesin historik të edicionit të shkuar. Do të ishte diçka madhështore, jo vetëm për Ballkanin por edhe për futbollin tonë”.