Të rinjtë që trazuan tavolinën e dy kryeministrave dhe “Centrali Bërthamor”
Giorgia Meloni ndodhej në Dhërmi në tavolinë me kryeministrin Edi Rama, teksa po bisedonin në vilën qeveritare me pamje nga deti, kur një video e 4 të rinjëve italianë që vraponin duke ikur pa paguar nga një restorant në Berat i ndërpreu bisedën.
I pari që e pa videon nga tavolina ishte kryeministri Edi Rama. Ai ftoi Giorgia Melonin ta shikonte atë, dhe i shpjegoi se çfarë kishte ndodhur.
Nën hijen e pemëve të larta në oborrin e vilës qeveritare, videon e shikoj edhe ambasadori i Italisë në vendin tonë Fabrizio Bucci.
Kryeministrja e italisë bëri një fytyrë të ngrysur teksa tha me zë të lartë me një theks romak “Vergogna. Vergognoso!” (Turp! E turpshme!”)
Teksa italianët, familjarë të Melonit që ishin shumicë në tavolinë u ndjenë keq, kryeministrja iu drejtua ambasadorit italian “Merr në telefon pronarin, kërkoj falje për situatën.”-tha ajo teksa pyeti ”Sa ishte fatura?”
Dikush në tavolinë tha “80 euro”. Me sytë nga ambasadori, Meloni tha “Faturën do ta paguajmë ne, e paguamë ne për këta budallenj”.
Porosia e Melonit u krye të premten në Mesditë. Përfaqësues të ambasadës Italiane shkuan në Berat dhe paguan faturën e 4 të rinjëve që trazuan mediat e dy vendeve.
Në një bisedë telefonike me “Ora News” pasi përfaqësuesit italianë paguan faturën pronarët e restorantit nuk pranuan që të prononcoheshin, duke thënë shkurt: “Jemi të zënë me punë”
Ishte një episod i pakëndshëm, veçanërisht kur Shqipëria turistike është bërë kryefjala e mediave italiane, për shkak të numrit të lartë të vizitorëve nga vendi fqinj që vizituan Shqipërinë këtë vit dhe që qartazi trazoi në pak minuta tavolinën ku ishin ulur dy kryeministra.
Meloni qëndroj 4 ditë në vendin tonë, me një ftesë private të kryeministrit Edi Rama. Pak dihet nga vizita e saj, ndërsa andej e këndej kufirit lajmi zuri kryetitujt e mediave, pothuajse askush nuk di të thotë detaje të plota, edhe për shkak të karakterit të vizitës.
Kryeministrja Meloni zbriti në Portin e Vlorës ndërsa erdhi me traget nga Italia, por pavarësisht se arriti në qytetin bregdetar me mjete të tranportit publik, ajo nuk pushoj në vendet publike.
Përpara vilës qeveritare pak metra nga një hapësire të gjelbërt e priste një jaht privat, me të cilin Meloni dhe familjarët e saj bënin xhiro gjatë ditës.
“Unë këtu jam çdo ditë, kam parë makina duke hyrë dhe duke dalë, por jo Melonin as Ramën”-tha shkurt një banor i zonës.
Pak dihet edhe për diskutimet mes Melonit dhe Ramës, madje askush nuk mund ta konfirmojë edhe faktin se ajo është takuar edhe me Toni Bler, një këshilltar i Ramës i cili ndodhej në Dhërmi ditën që Meloni po qëndronte në të njëjtin vend.
Rama e ka mohuar një takim mes tij, Melonit dhe Bler. Mediat folën për një propozim të Melonit për ndërtimin e një Centrali Bërthamor diku në Shqipëri. Vetëm toka do ishte shqiptare, investimi do të ishte italian.
Kjo bisedë dhe ky propozim u mohua në mënyrë kategorike nga një person që ishin në dijeni të bisedave.
“Nuk ka mundësi në një të ardhme të afërt”-tha një tjetër burim i pavarur nga pari i cili u shpreh se ka “informacion të dorës së parë”.

