Debreshi: Minierat e Bulqizës minë me sahat, sot 3 të plagosur nga shpërthimi i gazit

3 minatorë të plagosur nga shpërthimi i gazit në minierën e Albchrome. Kështu shkruan ish kandidati për deputet në qytetin e Bulqizës dhe ish-minatori Elton Debreshi.

Ai shton se kushte në minierë dhe në spital janë të mjerueshme si dhe se miniera e Bulqizës, veçanërisht nivelet më të thella të saj, janë një “bombë me sahat”.

Debreshi: Mëngjesin e sotëm, si pasojë e shpërthimit të gazit në Nivelin 17 të minierës së Albchrome sh.p.k në Bulqizë, janë plagosur tre minatorë. Minatorët Rrahim Karaj, Asllan Çakalli dhe Trifon Snalla kanë pësuar djegie në trup si pasojë e shpërthimit, ndaj janë transportuar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranës.

Informacioni për rastin është shumë i cekët, si përherë, nga ana e strukturave të policisë së shtetit. Ndërsa “sindikata” e kompanisë reagon vetëm për urime festash; kurrë për aksidentet e punëtorëve. Në anën tjetër, kushtet e spitalit të Bulqizës janë të mjerueshme, si të ishte një spital fshati dhe jo spital i një zone ku punojnë mijëra minatorë që rrezikojnë shëndetin dhe jetën çdo moment. Duke uruar shërim të shpejtë për minatorët, kërkojmë hetimin e menjëhershëm të shkaqeve të shpërthimit.

Miniera e Bulqizës, veçanërisht nivelet më të thella të saj, janë një “bombë me sahat”. Kjo minierë, në të cilën janë zbuluar rezerva të mëdha të gazit metan, rrezikon çdo moment jetën e qindra minatorëve, ndaj duhet të merren masa urgjente që raste të tilla - që mund të rezultojnë shumë më fatale - të mos përsëriten më.